TIRANE - Zbulohet thertorja ku do të bëhen kurban një mijë qengjat dhe një mijë deshë për 100-vjetorin e Pavarësisë. Ka qenë studiuesi i njohur Artan Lame, që u ka shpërndarë miqve të tij, këtë foto që shoqëron edhe shkrimin nën shënimin "Barbarët". Më tej Lame sqaron se pikërisht në këtë zonë, ka nisur puna për të ndërtuar thertoren gjigante.

KOLONAT
Në fakt zona që është përzgjedhur nga qeveria, si vendi që do të shërbejë si thertorja e Pavarësisë, ndodhet mu në zemër të institucioneve më të rëndësishme të kryeqytetit. Të gjithë e njohin si Kolonat dhe ndodhet ngjitur me rektoratin e Universitetit të Tiranës, tek kompleksi i godinave të sheshi "Nënë Tereza". Pjesa e përzgjedhur nga qeveria, për kurbanin e saj, në fakt shërben si një rrugicë ku shumë vizitorë pushojnë dhe admirojnë arkitekturën e viteve 30-të të godinave që ndodhen në këtë zonë. Pjesa që aktualisht shërben si shëtitore është mbyllur gjatë ditës së djeshme me kangjella hekuri, ndërsa punëtorët kanë nisur punën për kthimin e saj në një thertore publike. Në anën tjetër të pjesës ku do të bëhen kurban një mijë qengjat, ndodhet Qendra e Studimeve Albanologjike, ndërsa në krahun tjetër të sheshit "Nënë Tereza" ndodhet Universiteti i Arteve, ndërsa nga krahu tjetër, thertorja, do të ketë përballë Universitetin Politeknik të Tiranës. Punëtorët e parë janë shfaqur gjatë ditës së djeshme, dhe ata po mundohen të krijojnë një ambient sa më të përshtatshëm për vendin e kurbanit. Megjithatë, vendi i përzgjedhur duket se do të hapë një tjetër debat të madh, jo vetëm në radhët e mbrojtësve të kafshëve, por edhe të shoqërisë civile. Kjo jo vetëm se do të theren, në mes të ditës dhe në mes të rrugës, një mijë qengja dhe një mijë deshë, por akti makabër, që me të drejtë Lame e etiketon si "barbarët", do të ndodhë në një aks kaq të rëndësishëm, ku çdo ditë është i populluar nga delegacione të diplomacisë së huaj, pasi vetëm pak metra më tutje ndodhet ambasada italiane, ambasada amerikane dhe hotel "Sheraton", ku zhvillohen një pjesë e madhe e takimeve diplomatike.

PREMTIMI I BERISHËS

Edhe gjatë mbledhjes së javës së kaluar të këshillit të ministrave, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, u ndal tek propozimi i tij, për qengjat e kurbanit të Pavarësisë. Ai madje deklaroi se i kish kërkuar ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, që të merrte masat dhe të siguronte një mijë qengja dhe një mijë deshë, të cilët më 28 nëntor do të vihen në radhë dhe do të bëhen kurban, si një mënyrë për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë.

VETERINERET
Por ata që merren me blegtorinë janë skeptikë, nëse Berisha do të mund të gjejë një mijë qengja. Sipas tyre, nëntori nuk është muaji i qengjave, ndaj kryeministri Berisha duhet të kënaqet vetëm duke bërë kurban deshët

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)