Prodhimi i qershive këtë vit është i mbarë në Dibër, por fermerët përballen me mungesën e tregut dhe fuqisë punëtore. Plantacionet me qershi kanë mbetur pa vjelë dhe po kalben pasi fruti kalon në tej pjekje. Fermerët ankohen se tregtarët nga Tirana e Durrësi e blejnë qershinë në Dibër me 30 lek për kg, ndërsa në tregjet e pakicës e shesin me 180 lek/kg.

"Sivjet kam shitur 6 kuintal dhe 20 kuintal janë në pemë. Çmimi tani është me 30 lek për km, dalim në Peshkopi dhe kthejmë mbrapsht se nuk e shesim dot gjithë mallin. Shteti nuk është kurrkund këtu, me investime në tregje apo me fabrika se po shkon dëm. Ne pemët e qershisë i kemi kot se nuk shitet ka mbetur ti fusim motosharrën", thanë fermerët.

Mungesa e pikave të mëdha të grumbullimit, e eksporteve dhe fabrikave të përpunimit ka bërë që tonelata me qershi të mbeten pa shitur.

"Kam tre ditë që dal këtu në treg, plus që janë me dhjetëra ton ende pa vjelë. Kam 8 dynym po i shes me 30 lek/kg por s’po i merr kush! Ka mbetur veç me i pre se s'kemi leverdi", tha një tjetër fermer.

Në bashkinë e Dibrës janë të regjistruara 371 hektarë me qershi dhe mbi 2700 tonë prodhim vjetor, me një rritje prodhimi prej 15% për këtë sezon.