Qershor 2017, krijohen 26 mln € 
​detyrime të reja ndaj privatit

Pavarësisht nga angazhimi publik për të mos krijuar më detyrime të prapambetura financiare të shtetit ndaj privatëve, duket se qeveria Rama e ka të pamundur ta zerojë këtë borxh. Në fund të qershorit 2017, pra në fund të mandatit të parë të këtij Ekzekutivi, ajo ka arritur të paguajë borxhet e mëdha të trashëguara nga qeveria Berisha, afro 700 milionë dollarë, por gjithsesi fenomeni vazhon të ekzistojë. Sipas shifrave zyrtare të ministrisë së Financave, të publikuara dje, janë afro 26 milionë euro, që shteti shqiptar u detyrohet privatëve, qytetarë apo biznese.

Rekordin në këtë listë të zezë e mban ministria e Transporteve, me 10 milionë euro detyrime, e pasuar nga ministria e brendshme me 5.6 milionë, Zhvillimi Urban me 2.6 milionë euro, Drejtësia me 2.4 milionë, po aq edhe Financa, ndërkohë që edhe ministria e Mjedisit ka krijuar 1 milion euro borxhe.

Vihet re se një rritje e shpejtë e borxheve është regjistruar nga prilli në qershor. Kështu, shuma e detyrimeve të prapambetura ishte 2.2 miliardë lekë në fund të muajit të katërt të vitit në vazhdim, për të kaluar në 3.5 miliardë lekë tre muaj më pas.    

Dikasteret
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës raporton që detyrimet për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017, janë në vlerën 943.8 milionë lekë. Ndërsa, totali i detyrimeve për MTI nga janari 2016 deri në qershor 2017 raportohet në vlerën 1.33 miliardë lekë. Këto detyrime kryesisht vijnë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku një peshë të madhe kanë kostët e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve. Drejtoria Ujësjellës-Kanalizime gjithashtu ka një vlerë të konsiderueshme të detyrimeve të prapambetura.

Ministria e Mbrojtjes raporton se ka krijuar detyrime të reja për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 në vlerën 3 milionë lekë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit raporton që detyrimet e reja për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 janë në vlerën 1 milion lekë,kryesisht si rrjedhojë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në disa institucione të vartësisë së saj. Ndërsa totali i detyrimeve janar 2016 - qershor 2017 raportohet në vlerën 28.2 milionë lekë.

Ministria e Drejtësisë raporton që për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 detyrimet janë në vlerën 83.1 milionë lekë dhe u përkasin vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 në qershor 2017 raportohet në vlerën 321.9 milionë lekë.

Ministria e Shëndetësisë raporton që për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 detyrimet janë në vlerën 63.9 milionë lekë. Në total, për periudhën janar 2016 - qershor 2017 janë 78 milionë lekë.

Ministria e Punëve të Brendshme raporton që për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 detyrimet e reja janë në vlerën 143.1 milionë lekë. Ndërsa totali i detyrimeve të akumuluara për MPB nga janari 2016 deri në qershor 2017 është 745.3 milionë lekë.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave raporton që detyrimet për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 janë në vlerën 28.4 milionë lekë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 deri në qershor 2017 raportohet në vlerën 30.8 milionë lekë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes raporton që për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 detyrimet janë në vlerën 0.2 milionë lekë, të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione. Totali i detyrimeve nga janari 2016 deri në qershor 2017 raportohet në vlerën 3.3 milionë lekë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë raporton që detyrimet e reja për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 janë në vlerën 2.8 milion lekë. Ndërkohë, për periudhën janar 2016 - qershor 2017 detyrimet totale janë 50.4 milionë lekë.

Ministria e Punëve të Jashtme raporton 12.1 milionë lekë detyrime të krijuara rishtazi për periudhën maj - qershor 2017 dhe në total MPJ ka 13.4 milionë lekë detyrime të akumuluara.

Ministria e Financave për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 ka raportuar detyrime në masën 154.3 milionë lekë, kryesisht vendime gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në total MF raporton 314.5 milionë lekë detyrime të akumuluara.

Ministria e Integrimit Evropian raporton që ka krijuar detyrime për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 në vlerën 0.6 milionë lekë, ndërkohë që totali i detyrimeve për periudhën janar 2016 - qershor 2017 është 5.2 milionë lekë.

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 nuk ka raportuar detyrime të krijuara. Ndërkohë që totali i detyrimeve të MMSR në periudhën janar 2016 - prill 2017 ishte në vlerën 5.5 milionë lekë.

Ministria e Zhvillimit Urban raporton se për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 detyrimet e reja janë në vlerën 45.9 milionë lekë, ndërkohë që nga janari 2016 deri në qershor 2017 totali i detyrimeve për MZHU rezulton në 347.2 milionë lekë.

Ministria e Mjedisit raporton që detyrimet për periudhën nga 01.05.2017 – 30.06.2017 janë në vlerën 74.7 milionë lekë, të lindura si detyrime nga vendime gjyqësore të formës së prerë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 deri në qershor 2017 raportohet në vlerën 132 milionë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raporton se detyrimet e krijuara për periudhën 01.05.2017 – 30.06.2017 janë në vlerën 3.9 milionë lekë. Në total, DPT ka detyrime të akumuluara në vlerën prej 33.8 milionë lekësh.

insitucionet tabela

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq