TIRANE- Ambalazhet plastike dhe qeset plastike do t’u nënshtrohen rregullave të rrepta. Dhe sidomos kur bëhet fjalë për qese plastike apo ambalazhe plastmasi të cilat janë të padegradueshme. Në vendimin e djeshëm të qeverisë, jo vetëm përcaktohet përmbajtje e ambalazheve që do të prodhohen për pajisje të ndryshme, por janë vendosur edhe kufizime për ambalazhet që janë të padegradueshme në mënyrë natyrale. “Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve, kur nuk respektohen nga subjektet përgjegjëse kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe. Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30µ (mikro) (15 për çdo anë). Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohen prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë. Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohet importimi i qeseve të plastikës të pa biodegradueshme. Mbas datës 1 janar 2013, ndalohen përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare. Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake”, - thuhet në projektvendimin e djeshëm të qeverisë për trajtimin e ambalazheve të pajisjeve të ndryshme. Që do të thotë se qeset plastike, të cilat nuk shpërbëhen në mënyrë natyrale do të hiqen nga tregu ë fund të vitit 2012. çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhues do të rikuperojë dhe riciklojë minimalisht jo më vonë se data 30 qershor 2017, 50-65% të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë; riciklon 25-45% të totalit të peshës totale të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit dhe të paktën 15% të peshës për secilin material në veçanti.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)










