Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe ka nisur një fushatë reklamuese që synon që të pengojë shtetasit shqiptarë që të emigrojnë drejt Anglisë.

Reklamat, të cilat do të shfaqen në shqip në Facebook dhe Instagram, do të paralajmërojnë njerëzit se do të "përballen me ndalimin dhe largimin" nëse udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria tha se fushata, e cila nis nga java e ardhshme, do t'i "bëjë të qarta rreziqet" me të cilat përballen emigrantët që udhëtojnë me gomone përmes kanalit të Lamanshit.

Qeveria britanike ende nuk ka bërë të ditua shifra se sa do të kushtojë kjo fushatë për të frenuar emigrimin. 

Sipas zyrtarëve britanikë, Shqipëria është një "vend i sigurt ". Deri në mars 2023, rreth 14 mijë aplikime për azil në Mbretërinë e Bashkuar janë bërë vetëm nga shtetas shqiptarë.

Fushata pason një lëvizje të ngjashme të mediave sociale të nisur nga qeveria në gusht të vitit të kaluar.