Në zallamahinë e skandalit të vjedhjes në Bankën qendrore po dëgjohen çdo ditë e më shumë kritika e ankesa kundër qeverisë pse ajo potregon me fshtësi në qendrimin ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Shumë zëra po shprehen hapur se ajo duhet të bëjë çmos që ta shkarkojë atë, si përgjegjësi kryesor dhe i padiskutueshëm i mega-skandalit që ka ndodhur në një institucion qendror, që duhej të ishte jashtë çdo dyshimi se mund të vidhej ndonjëherë, për një kohë të gjatë, sistematikisht dhe me shifra të konsiderueshme, siç është vjedhur.

Pa hyrë në hollësitë që kanë të bëjnë me përgjegjësitë dhe dëmin e shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e Fullanit dhe, aq më pak, për bëmat e anëtarëve të familjes së tij, mund të thuhet se, në këtë mes, në rrëmujën e përgjithshme, po keqkuptohet një element esencial, që ka të bëjë me mundësinë e Ekzekutivit që të ndërhyjë për zgjidhje. Ndoshta ne, shqiptarët, jemi mësuar deri tani me kryeministra e qeveri që ndërhyjnë në Prokurori, Gjykata, Bankën e Shtetit, sipas ligjit e kundër ligjit, për të emëruar, shkarkuar, ndikuar në punët e tyre. Ditën e djeshme, qeveria bëri reagimin e saj, ku mund të përmenden disa pasazhe. Ajo kërkoi që Prokuroria “të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës.

Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen. Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar… Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur të luajë rolin e vet për çdo nisëm që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie në funksionimin e bankës qendrore të shtetit shqiptar”.

Mesazhi duhet të lexohet e të kuptohet drejt. Problemi është që pak po kuptohet se qeveria nuk mund të bëjë gjë direkt në këtë mes. Ka limite të caktuara në Kushtetutë që e ndalojnë të bëjë ndërhyrje, si tek Fullani, apo tek çdo drejtor e punonjës i BSH dhe për respektimin e institucioneve të pavarura ndoshta për herë të parë po bëhet diçka serioze në vendin tonë.

Ligji parashikon në menyrë shume të qartë cilat jane rastet kur Keshilli i ministrave mund te pezulloje nga detyra Guvernatorin e Bankes (neni 47 ligji nr. 8269), duke kerkuar me pas gjithesesi voten ne Kuvend; por asnje nga keto raste (te bazuara gati totalisht ne vendimin e gjykates) nuk jeshte konkretizuar. Vetem Keshilli mbikqyres i bankes sipas te njejtit nen te te njejtit ligj, ka te drejte t'i propozoje Kuvendit shkarkimin e Guvernatorit kur puna e tij ka shkelur etiken ose prekur interesat e Bankes se Shqiperise: Ndoshta eshte pikerisht ky rasti per te cilin behet fjale, por Keshilli Mbikeqyres deri tani nuk ka marre asnje mase.

Lëvizja e vetme, që mund të vejë në provë vullnetin e mazhorancës, e jo thjesht të Ekzekutivit, do ta kishte zanafillën pikerisht në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku me shumicë votash duhej të propozohej shkarkimi i guvernatorit apo i gjithë Këshillit, çka do t’i përcillej Kuvendit të Shqipërisë, i vetmi që mund të marrë vendim perfundimtare në këtë mes. Kjo, pasi Fullani duket i vendosur, deri tani, të mos japë vetë dorëheqjen, megjithë thirrjet që po i bën 99 për qind e opinionit publik.

Por, rrezikut që Fullani të mos lejë karriken e guvernatorit nuk ka pse t’i shtojmë rrezikun tjetër, të diskreditimit të mëtejshëm të shtetit shqiptar, me një qeveri që ndërhyn në punët e një institucioni të pavarur të këtij shteti. Ku, sigurisht, do të kishim reagim negativ në unison nga ndërkombëtarët që na monitorojnë – BE, FMN, etj. Ngjarja nuk është diçka politike, ku qeveria e ka detyrë të ndërhyjë. Ndërhyrja e saj është shprehur në mesazhin shumë të prerë, ku kërkon seriozitet nga institucionet e pavarura të shtetit dhe ofron ndihmë për gjithshka. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)