Sot, ne nisim një pjesë të dytë të një rruge të nisur më parë, vazhdojmë një kapitull të dytë të një kapitulli dialogu, të hapur më parë nga ana jonë. Jemi këtu, për t’ju konfirmuar juve dhe përmes jush të gjithë atyre që në Shqipëri kanë vendosur të jetojnë me biznes, se për ne suksesi juaj është suksesi ynë. Për ne, fati i parave tuaja është fati i parave të këtij populli, për ne, siguria në rrugën tuaj është siguria në rrugën e Shqipërisë drejt atyre aspiratave ende të parealizuara, që do ta bëjnë Shqipërinë një vend normal.
Sot, Shqipëria është në krizë. Në krizën e vetë më të thellë, pas asaj të vitit 1997. Flasin shifrat, flasin faktet, por më shumë se shifrat e faktet flasin plagët në trupin e çdo sipërmarrjeje, që jetoi jashtë oborrit të pushtetit. Të pushtetit të deridjeshëm, që e transformoi marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie force, në një marrëdhënie dhune, në një marrëdhënie arbitrariteti dhe e transformoi marrëdhënien e qeverisë së këtij vendi me ekonominë e këtij vendi, në një marrëdhënie perverse, ku ajo çka ishte e buxhetit të shtetit ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi dhe ajo çka ishte e buxhetit të sipërmarrjes ishte i vetmi burim ku shteti duhej turrur për të marrë ç’të mundte, në funksion të asaj që ishte e buxhetit të tij. Sot jemi pa buxhet dhe sot jemi me një sipërmarrje të bllokuar, sepse kemi një ekonomi të bllokuar. Një ekonomi e ndarë në dysh, në ekonomi e shtetit dhe në ekonomi e kulakëve, është e destinuar të shkojë në pikën ku ka vajtur sot, në një ekonomi të bllokuar, që kërcënon të ndalë funksionimin tërësor të shtetit, në rast se sot, së bashku, qeveria dhe sipërmarrja nuk ndalin krizën.
Qeveria nuk është shteti, është vetëm një pjesë e shtetit. Ndërkohë që ekonomia nuk është vetëm ajo e shtetit, por është edhe ajo e të gjithë atyre që në këtë shtet merren me biznes. Mbi këtë pikëpamje, unë do të drejtoj gjithë betejën e ashpër kundër krizës dhe për kalimin në një fazë të re të ekonomisë sonë. Mbi këtë pikëpamje, unë përsëri nënvizoj se jemi të gjithë bashkë, në të njëjtën anije. Anija nuk mbytet vetëm për një pjesë. Anija mbytet për të gjithë bashkë. Nga kjo anije askush nuk shpëton duke përfituar nga mbytja e të tjerëve. Në anijen e ekonomisë së këtij vendi, qeveria dhe sipërmarrja janë bashkë. Dhe qeveria e sipërmarrja së bashku duhet ta nxjerrin anijen e ekonomisë së këtij vendi në ujërat e qeta, duke kapërcyer bashkërisht dallgët e mëdha, që kemi sot dhe ato ende më të mëdha që kemi përpara. Shqipëria nuk ka nevojë më për mjaltin e gënjeshtrave. Mjalti i gënjeshtrave e solli Shqipërinë këtu ku jemi. Shqipërisë sot i duhet ilaçi i të vërtetave. Ilaçi i hidhur i të vërtetave dhe dialogu ynë mund, duhet e do të kalojë vetëm përmes të vërtetave. E vërteta është që sot, ne jemi në kushtet e një ekonomie të bllokuar. E bllokuar institucionalisht, e bllokuar nga pikëpamja e tërësisë së saj dhe e bllokuar financiarisht. E bllokuar institucionalisht do të thotë që sot ne kemi në dispozicion struktura tërësisht të pavlefshme në raport me krizën, që duhet të përballojmë dhe me shërbimet që duhet t’i japim sipërmarrjes. Administrata tatimore dhe doganore që ne trashëgojmë, jo vetëm që nuk mundet dot t’i shërbejë sipërmarrjes e jo vetëm që nuk mund dot të konsiderohet si një forcë e gatshme në dispozicion të betejës së përbashkët, por është një pengesë kryesore, kështu siç është. Sot e gjithë ditën, në administratën tatimore e doganore të vendit vazhdohet avazi i vjetër “kap, ç’të kapim se nuk i dihet ditës tjetër”. Dëshmitarët jeni ju dhe prova më elokuente është Drejtorja pa eksperiencë e Doganave, e cila shkon në punë në drekë dhe në darkë doganat kapin atë që nuk kanë kapur nuk e di se sa kohë me radhë, sepse kontrabanda dhe shkallmimi i gjithë sistemit është kudo, në çdo pikë ku ka një doganë dhe hemorragjia e këtij sistemi është për arsye të të gjithëve. Nga ana tjetër, tatimet, e njëjta gjë. Të gjithë e dini shumë mirë. Në këtë aspekt përgjegjësia jonë e plotë është që një orë e më parë, doganat dhe tatimet t’i kthejmë nga një strukturë që sot është një mur përpara nesh e që na pengon të shkojmë më tutje, në një strukturë që duhet të jetë në dispozicionin tonë si qeveri dhe si komunitet i sipërmarrjes, për të përballuar krizën e për të dalë në ujërat e qeta të një zhvillimi normal ekonomik, të qëndrueshëm, për qeverinë dhe për sipërmarrjet tuaja.
Ne shumë shpejt, siç e tha edhe ministri i Ekonomisë, do të vëmë në jetë zotimin tonë për ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Këshilli Ekonomik Kombëtar do të jetë një strukturë, e cila do të funksionojë rregullisht pranë kryeministrisë. Në Këshillin Ekonomik Kombëtar, ne do të ulemi si qeveri së bashku me ju si sipërmarrje, së bashku me bankat, së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare, me përfaqësinë e sipërmarrjes shqiptare dhe të huaj, së bashku me ekspertë ndërkombëtarë, që kemi fatin t’i kemi të nivelit më të lartë botëror. Çdo tre muaj, ne do të diskutojmë strategjikisht për këtë betejë që është e përbashkët, për betejën kundër krizës dhe për betejën për mirëqenien. Ndërkohë, në mënyrë të përmuajshme, në një formë më të reduktuar, por me praninë e ministrit të Financave, të ministrit të Ekonomisë, Drejtorëve të Përgjithshëm të Tatimeve dhe të Doganave, sipërmarrja do të ulet përballë qeverisë, për të gjitha çështjet që lidhen me të përditshmen e vet. Për të gjitha shqetësimet që vijnë nga bota e sipërmarrjes, në raport me sjelljen në dogana, me sjelljen në tatime, me arbitraritetet dhe me interpretimet mjeshtërore ligjore, që janë kthyer në lakun në fytin tuaj. Ne nuk dot kemi fare ngurrim që, rast pas rasti, bazuar në këtë bashkëpunim, të godasim, të godasim e të godasim dhe të shporrim nga vatha e shtetit, nga vatha e tatimeve, nga vatha e doganave, çdo individ që në emër të shtetit shqiptar guxon të cenojë cilindo sipërmarrës, nga më i madhi deri te më i vogli. Nga pronari i një fabrike deri tek shitësi i një dyqani të vogël në cepin e lagjes. Ky është një angazhim solemn. Ky është një angazhim që ne do ta mbajmë vetëm falë bashkëpunimit me ju. Nuk do të ketë më sipërmarrës të detyruar të paguajnë, të paguajnë e të paguajnë dhe të heshtin. Të heshtin e të heshtin nga frika se po hapën gojën, ju rritet masa e asaj që duhet të paguajnë dhe ju këputet gjuha fare. E kundërta do të ndodhë!
Ne e konsiderojmë çdo sipërmarrës bashkëpunëtor në këtë proces kundër këtij korrupsioni endemik, që shfaqet në çdo kontakt të sipërmarrësit me administratën, njësoj si të ishte në kontakt me murtajën. Nga ana tjetër, kërkojmë që bashkërisht t’i japim jetë një Sekretariati të këtij Këshilli, që do të funksionojë në mënyrë të përditshme, për të mbledhur të gjitha ankesat dhe kërkesat e sipërmarrjes. Kjo është përgjegjësia jonë.
Thënë kjo, dua të vazhdoj me pjesën tjetër. Si mundet ne t’i kërkojmë sipërmarrjes çfarëdo qoftë, ndërkohë që ne, sipërmarrjes i kemi lënë në kurriz tufën më të madhe të shushunjave që mund të ekzistojë në një komunitet. Shushunja të gjalla, të mëdha, plot dhjamë, të paturpshme, që vijnë në formë njerëzish me uniformë shteti dhe që fusin duart nëpër xhepat tuaj, sa herë ju teket, si t’ju teket, duke improvizuar kontrolle sa herë që uria e tyre e pashueshme për gjakun e sipërmarrjes kërkon shpagim përmes parave tuaja. Çfarë mund t’i kërkojmë ne sipërmarrjes?! Asnjë gjë nuk mund t’i kërkojmë, në qoftë se ne nuk jemi të parët që të japim shembullin që jemi në dispozicion të sipërmarrjes dhe se ata që vijnë dhe trokasin në dyert e sipërmarrjes, qofshin tatimorë apo të doganave, janë aty, jo për të kapur, për të lidhur, për të dhunuar dhe për të përdhunuar sipërmarrësin, por për t’i shërbyer në emër të shtetit. Nga ana tjetër, çfarë mund t’i kërkojmë ne sot sipërmarrjes, kur ne sot jemi në një borxh që shkon rreth e rrotull 600 milionë dollarë, në raport me sipërmarrjen. Çfarë mund t’i kërkojmë ne kompanive, kur ne kompanive i kemi borxhe. Çfarë mund t’i kërkojmë ne atyre që kanë dhënë shërbime nëpër spitale, nëpër shkolla, kur u kemi borxhe. Çfarë mund të kërkojmë ne nga të gjithë ata që i kanë shërbyer këtij vendi, duke zbatuar kontrata me këtë shtet, kur ky shtet nuk e njeh pjesën e vet të kontratës, kur ky shtet e konsideron veten të gjithëfuqishëm për t’i shkuar nga mbrapa të gjithë sipërmarrësve e për t’ju thënë se pjesa ime e kontratës është pjesa që “bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë”, pjesa juaj e kontratës është pjesa që jo vetëm duhet ta zbatoni, por unë ju marr edhe më shumë se kaq. Ne nuk mund të bëjmë asgjë. E çfarë mund të bëjmë ne, për të rritur të ardhurat nga faturat e energjisë elektrike! Si mund t’i kërkojmë ne njerëzve që nuk kanë bukë, se punë jo e jo, të paguajnë faturat e energjisë, kur Këshilli i Ministrave nuk paguan faturat e energjisë! Si mund t’i kërkojmë ne bizneseve, që janë në këto kushte skandaloze, të rrethuar nga borxhet e të rrethuar nga shushunjat, të paguajnë me korrektesë energjinë, kur gjithë ngrehina e shtetit është borxhliu më i madh ndaj sektorit energjetik! Çfarë mund të kërkojmë ne?! Ne nuk mund të kërkojmë dot asnjë gjë.
Që ne të kërkojmë nga ju që të respektoni të gjitha detyrimet dhe që ne të kërkojmë nga ju që kush fiton më shumë të paguajë më shumë, ne në radhë të parë duhet të jemi në gjendje t’ju krijojmë juve kushtet që të ndjeheni në këtë vend protagonistë të respektuar dhe jo kulakë të persekutuar. Që të ndjeheni në këtë vend, ata që janë realisht burimi më i madh i energjive pozitive për zhvillimin e këtij vendi dhe jo burimi i madh ku vënë gojën dhe thithin përditë gjak, nga gjaku i familjeve tuaja, shushunja të panumërta me uniformën e shtetit, që i thonë vetes kontrollorë, taksidarë, inspektorë, policë e gjithfarëlloj emrash kanë, por në fakt një gjë bëjnë dhe të gjithë së bashku janë shkaktarë të kësaj situate dramatike.
Ne, atëherë, do të marrim përsipër gjënë më të parë, të shlyejmë mbrapsht të gjitha borxhet. Ne nuk duam t’i kemi borxh njeriu. Do të kushtojë? Le të kushtojë. Sepse ka dy rrugë: Ose ne do të shlyejmë të gjitha borxhet, ose ne do të shumëfishojmë shushunjat. Rruga e parë është e dhimbshme, rruga e dytë është tragjike. Këtu situata është e tillë që nuk kemi mundësi për zgjidhje të atilla që të gjithë të jemi të lumtur dhe të flemë gjumë rehat. Këtu situata është e atillë që ne duhet të bëjmë zgjidhjet e kërkuara me çdo çmim, në mënyrë që nesër, vendi të rifutet në rrugën e rritjes ekonomike dhe përfundimisht, sipërmarrja të ndahet nga rruga kaq shumëvjeçare, ku në çdo hap ndeshet me dhunën, me presionin, me korrupsionin.
Kemi borxhe në transport. Punë të papaguara të kompanive që kanë marrë kontrata nga qeveria, kanë marrë kredi nga bankat, kanë hedhur çfarë kanë mundur atje nëpër rrugë, rrugët kanë mbetur rrugëve, kompanitë kanë mbetur rrugëve, shteti është rrugëve dhe sigurisht që ne duhet t’u paguajmë këto borxhe.
Kemi borxhe ndaj sektorit të ujërave. Duhet t’i paguajmë këto borxhe.
Kemi borxhe ndaj sektorit shëndetësor, përfshirë detyrimet për ilaçe. Ç’është ky shtet që ju merr ilaçe kompanive dhe nuk u jep lekët, nuk paguan! Dhe pastaj ju thotë njerëzve: ku shkoni ju, si vini në spital pa ilaçe? Shkoni tek farmacia këtu afër.
Kemi borxhe në sektorin e arsimit.
Kemi TVSH të parimbursuar. TVSH-ja e parimbursuar është shprehja më kuptimplotë e nivelit banal ku mund të bjerë një shtet që i thotë vetes demokratik, por është banal. Një shtet që thotë kjo ty të takon, por ti nuk e merr dot se nuk dua unë, është një shtet që nuk meriton asgjë, nuk meriton as respekt, nuk meriton as taksa, nuk meriton asgjë. E si mund të pretendojmë ne nga sipërmarrja, që sipërmarrja të marrë përsipër përgjegjësitë e veta karshi këtij populli dhe këtij vendi, kur ne i themi nuk të japim TVSH-në! Kemi po ashtu shumë të pakthyer të taksës mbi të ardhurat e korporatën, 100 milionë dollarë. Pse? Armiku i madh i popullit! Por ndryshe nga ata që armikun e popullit e kishin pa dallim, këtu ka dallime, se shumica janë armiq të mëdhenj të popullit , kurse disa miq të mëdhenj të qeverisë, që jo vetëm nuk diskutohet që ju rimbursohet TVSH-ja me precedencë, ju paguhen punët me precedencë, por, përkundrazi, nuk lënë të punojnë as të tjerët. Marrin çdo punë, bëjnë biznes me paratë e këtij populli në çdo sektor, portofole të diversifikuar, janë për çdo gjë. Do të bësh rrugë, janë ata! Do të investosh në teknologji të lartë, janë ata! Do teknologji të ulët, janë ata! Do karroca, janë ata! Do vetura, janë ata! Do linjë ajrore, janë ata! Të gjitha i bëjnë! Flasim gjithçka. Shikoni vetëm koncesionet, merrini shikojini. Madje, dhe ata që kanë koncesione dhe nuk janë ata, i kanë paguar koncesionet sa qimet e kokës, për ata.
Ne, këtë situatë nuk e pranojmë! Angazhimi ynë solemn është: Këto borxhe, të gjitha mbrapsht, një orë e më parë. Këto para, të gjitha në ekonomi, një orë e më parë, sepse ekonomia është një. Sepse ne nuk kemi ndër mend të krenohemi duke prerë shirita rrugësh, të shtruara me gjakun e kompanive dhe që nuk mbarojnë. Ne nuk kemi ndërmend të krenohemi me inaugurime të bëra për punë, pas të cilave nuk ka buxhet. Ne nuk kemi ndërmend të krenohemi për suksese imagjinare, që janë në fakt, tragjedia e njerëzve të këtij vendi që merren me biznes. Në qoftë se ne nuk shtrojmë dot rrugë, nuk do të shtrojmë më rrugë, deri në momentin kur të shlyejmë borxhet, një nga një. Paratë do të hyjnë të gjitha në ekonomi.
Ne duam që biznesi të ketë mundësi, të vihet në lëvizje. Ne duam që bankat të fillojnë të japin kredi, se sigurisht bankat kanë lekë, po kujt t’ia japin kredinë, cilit? Nuk ka një këtu nga ju, që mund të shkojë t’i thotë: “ ja ku i kam të gjitha në rregull për të marrë kredi”, sepse të gjithë ju thoni i ka ai. Por unë nuk jam ai. Ai s’ishte unë. Ne bashkë jemi në një anije dhe që bankat t’u japin ju kredi, ju duhet të rregulloni të gjithë këto portofole të zbrazura nga borxhet. Ne do t’ua japim ju këtë mundësi, një orë e më parë. Bankave do t’u krijojmë mundësinë që të japin kredi dhe njëkohësisht, bankave do t’u krijojmë kushte që të gjitha detyrimet përmbarimore, që janë përtej këtyre, të mund të zbatohen dhe jo siç ndodh sot, që ia jep ligji, ia jep gjykata dhe nuk ia japin përmbaruesit, që marrin lekë, nga ata të cilët mundohen t’i shpëtojnë detyrimeve ligjore.
Kjo është pjesa e përgjegjësisë, kjo është përgjegjësia jonë. Vetëm kështu, ne do të kthehemi nga ju dhe do të themi cila është përgjegjësia juaj dhe si ju tani do të bëni të njëjtën gjë. Kjo është faza tjetër. Ne nuk do të flasim për këtë sot. Nuk do të flasim për këtë, deri në ditën kur ne do t’u themi: ja ku keni paratë. Këto janë paratë tuaja, merrini dhe ky shtet nuk ju ka më ju asnjë borxh. Kur ne të mos kemi më asnjë borxh ndaj jush, do t’ju themi ju, çfarë borxhi i keni ju këtij vendi, në kuptimin e kontributit, jo në kuptimin e ndonjë borxhi që e keni ju nëpër xhepa, se në këtë aspekt, nuk bëhet fjalë.
Pjesa tjetër është partneriteti. Do të shlyejmë borxhet dhe ne do të jemi në gjendje të dalim para jush faqebardhë. Nuk do jemi në nevojë për të fortë, nuk do jemi në nevojë për ata me eksperiencë. Ju i njihni mirë ata me eksperiencë dhe jeni të bindur se gjëja e fundit që do të donit ishte që këtu me ne të ishin dy me eksperiencë. Kështu që, prandaj kemi sjellë dy pa eksperience, pa muskuj, pa asgjë nga forca e gjithë këtyre viteve, se nga forca e gjithë këtyre viteve, kemi ardhur këtu ku jemi. Qoftë Elisa Spiropali, qoftë Briseida Shehaj, qoftë drejtorja e re e doganave, qoftë drejtorja e re e tatimeve janë këtu sot, me ne, në vazhdën e zotimit të marrë kohë më parë, se ne nuk do të qeverisim me shembullin e forcës. Ne do të qeverisim me forcën e shembullit. Forca e shembullit do të thotë që qeveria e para duhet të bëjë çdo gjë që ju kërkon të tjerëve. Qeveria nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të paguajnë detyrime, në qoftë se ajo vetë nuk paguan detyrime. Qeveria nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të zbatojnë ligjin, në rast se qeveria shkel ligjin. Qeveria nuk mund t’i kërkojë të tjerëve të jenw të hapur për dialog, në rast se qeveria nuk bën dialog. Qeveria nuk mund t’i kërkojë të tjerëve mirëkuptim, në qoftë se nuk mirëkupton të tjerët. Qeveria nuk mund të jetë një përpara kamerave dhe një tjetër pas kamerave. Qeveria nuk mund të jetë një kur flet dhe një tjetër kur vepron. Kjo është forca e shembullit. Qoftë Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, qoftë ajo e Doganave kanë një detyrë shumë të qartë: t’i kthejnë këto dy institucione themelore për mbarëvajtjen e ekonomisë dhe të sipërmarrjes, në institucionet e dialogut, që garanton përgjegjësi reciproke dhe të partneritetit. Nuk do të ketë më kontrolle të palajmëruara. Kjo nuk do të ndodhë më! Nuk do të vijë dot më grupi i shushunjave, -le që nuk do të ketë më grup shushunjash, - por nuk do të vijnë më agjentët tatimorë pa lajmëruar dhe pa marrë takim me të parin e punës. Jo që ai që ka lënë jetën, në atë vepër të tij, që është vepër private, por që është pasuri kombëtare, kompaninë e vet, është në spital mbi kokën e bashkëshortes me kancer dhe shushunjat janë tek dera e kompanisë, duke prerë gjobën e radhës, në kontrollin e radhës të paligjshëm dhe të paparalajmëruar. Kjo nuk do të ndodhë! Kush do të marrë kontroll të paparalajmëruar, do të duhet vetëm ta thotë dhe ata që do të bëjnë kontroll të paparalajmëruar, minimalisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit. Ashtu sikundër, ne bëjmë pjesë të paketës sonë që po e përgatisim edhe atë që e përmendi këtu ministri i ekonomisë.
Kush ndër ju është i gatshëm dhe ka kapacitetin për t’u audituar nga një prej kompanive të mëdha të auditimit, nuk do të kontrollohet, nuk do të ketë më punë fare me kontrollet tatimore dhe ne do ta aftësojmë administratën tatimore që në mënyrë selektive, në kuptimin spontanisht, të kontrollojë auditorët, jo ju. Ju nuk do të shihni më tatime tek dera. Sigurisht, që është përgjegjësi e auditorëve, në qoftë se emrin e tyre të madh, reputacionin e tyre e vënë në dispozicion të manipulimit të shifrave, por kjo ka shumë pak gjasë të ndodhë. Sepse është shumë e thjeshtë, për auditorët, ky është një biznes dhe askush nuk mund ta rrezikojë këtë biznes, që është i lidhur me 400-500-1000 kompani, për të marrë lekë nga njëri, për të fshehur shifrat. Asnjë kompani nuk mund t’i paguajë një auditori, para të atilla, që të kompensojë ato që fiton kompania, nga të gjithë auditimet që bën. Kjo është shumë e qartë. Por kjo nuk është për ju, është për ata. Prandaj edhe kjo do të jetë pjesë e lehtësimit të gjithë barrës së marrëdhënieve.
Shqipëria ka 20 e kusur vite që synon BE-në dhe ndërkohë që ju sipërmarrësit keni kohë që e keni treguar se mund të ndërtoni një sipërmarrje dhe mund të performoni si në BE, ky shtet nuk ka arritur dot ta tregojë. Ne duam që ky shtet të bëjë atë që kompanitë e suksesshme kanë bërë. Ne duam atë që ky shtet të bëjë atë që familjet e zakonshme shqiptare kanë bërë, kur kanë ikur jashtë pa asnjë mbështetje dhe kanë filluar një histori të re, duke u bërë pjesë integrale e atij komuniteti ku janë vendosur.
(Ne foto: Brisida Shehaj, Edmond Haxhinasto, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Shkelqim Cani dhe Elisa Spiropali)
Ne duam që ky shtet, një orë e më parë, të rimarrë rrugëtimin e tij, jo drejt Brukselit, por brenda vetes sonë, sepse Evropa është brenda nesh. Nuk ka rëndësi fare, se çfarë quhet “status kandidati” apo “kandidat pa status”. Rëndësi ka që çdo një nga këto hapa të jetë mishërim i Evropës që ndërtohet këtu. Statusi i kandidati nuk është certifikatë nga ato certifikatat që marrin nganjëherë, i keni para vetë ca biznese pa biznes, që dalin më të mirët në botë, për këtë ose për atë. Është në fakt, prova, dëshmia që po vendi ka shkuar një stad më lart. Por që vendi të shkojë një stad më lart, nuk mundet dot që qeveria ta përfytyrojë se mundet ta bëjë këtë vetëm dhe aq më tepër pastaj, që qeveria ta bëjë këtë në kurriz të të tjerëve, ta bëjë këtë në kurriz të njerëzve të zakonshëm, ta bëjë këtë në kurriz të kompanive, ta bëjë këtë në kurriz të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Kjo nuk mund të ndodhë. Prandaj jemi këtu sot, në këtë pikë, që është një pikë realisht aq e ulët, sa mund të krahasohet vetëm me pikën pa pikë të vitit ’97-të. Lavdi Zotit, jo në të nxehtë, por në të ftohtë. Megjithatë, është realisht një krizë ekonomike e acartë dhe ju këtë e dini shumë mirë.
Prandaj, unë dua t’ju garantoj që nga ana jonë do të keni atë dialog dhe atë partneritet që e keni kërkuar vazhdimisht, e keni synuar herë pas here, e ëndërroni përditë, por nuk e keni parë ndonjëherë. Ne do tua garantojmë këtë. Çdo njeri prej jush, për ne është një pikë referimi dhe është një burim për rritjen e mirëqenies së këtij populli. Ne do të trajtojmë çdo kompani ekzaktësisht kështu, jo si burim për rritjen e të ardhurave të një personi, por si burim të mirëqenies së këtij populli dhe nga ju do të kërkojmë që ta respektoni këtë qeveri, duke marrë përgjegjësitë tuaja dhe duke dhënë kontributin tuaj, në raport me të gjitha ato detyrime që i kërkojnë ligjet e këtij vendi. Asgjë më shumë, asgjë më pak.
Faleminderit!