TIRANE, 8 Janar/ATSH/- Qeveria shqiptare planifikon që në periudhën afatmesme të forcojë kuadrin e menaxhimit fiskal, përmes vendosjes së rregullave procedurale ligjërisht detyruese që do të synojnë të eliminojnë rrezikun e parashikimeve sistematike optimiste të PBB-së dhe të ardhurave të buxhetit, parashikime që në të shkuarën, kanë çuar në buxhete të paqëndrueshme.
Në strategjinë e menaxhimit të financave publike për periudhën 2014-2020. planifikohet që forcimi i kuadrit të menaxhimit fiskal të vijë edhe përmes krijimit të një rregulli fiskal që do të udhëheqë politikën fiskale drejt qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik, duke lënë hapësirë të arsyeshme për politikë fiskale kundër-ciklike për amortizimin e goditjeve të fuqishme dhe cikleve ekonomike.
Një tjetër masë është edhe vendosja e kufizimit të përdorimit të të ardhurave nga privatizimi për tërheqjen e borxhit apo investimeve si dhe vendosjes së rregullave ligjore që në vitet zgjedhore do të parandalojnë shterimin e parakohshëm të defiçitit dhe borxhit publik të miratuar./a.gjonaj//a.g/










