Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për legjitimim të diskriminimit të shqiptarëve

Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për legjitimim të diskriminimit të shqiptarëve

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po legjitimon, siç tha ai, praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

Përmes një postimi në X, Bislimi reagoi ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë që ia refuzoi ankesën qytetarit nga Medvegja, Safet Demiri, për kthimin e adresës së banimit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese serbe] shkel të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk kanë besim në sistem dhe hezitojnë të iniciojnë procedura gjyqësore”, tha Bislimi.

Ai publikoi disa pjesë të vendimit të Gjykatës serbe, që thonë se Demiri nuk planifikon të jetojë në mënyrë të përhershme në adresën e paraqitur të banimit. Aty po ashtu thuhet se të drejtat e lëvizjes dhe banimit, ndonëse janë të garantuara me Kushtetutë, ato “nuk janë absolute”, duke iu referuar neneve të ligjeve serbe që lejojnë mundësinë që këto të drejta të kufizohen.

Sipas Bislimit, ky arsyetim i vendimit tregon “se si të drejtat e shqiptarëve po gërryhen, përmes interpretimeve të padrejta dhe diskriminuese, që tregojnë për mungesë të demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”.

Më herët gjatë 20 nëntorit, edhe kryetarja e Preshevës, Adrita Sinani, ka reaguar për këtë vendim të Kushtetueses serbe.

Sinani tha po ashtu se gjykata më e lartë serbe po “legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës”.

“Përveç legjitimimit të diskriminimit të skajshëm rreth pasivizimit, Gjykata Kushtetuese me një vendim antikushtetues si ky, po punon në dekurajimin e shqiptarëve të Luginës në betejën e tyre për drejtësi e barazi”, tha ajo, duke shtuar se rasti i Demirit është shembulli më i mirë i diskriminimit që u bëhet shqiptarëve nga institucionet serbe.

Sinani tha se shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci - që njihen edhe si Lugina e Preshevës - u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare.

“Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë”, shkroi ajo në Facebook.

Shqiptarët nga Lugina e Preshevës që një kohë të gjatë ankohen për pasivizimin e adresave të banimit të tyre në Serbi.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar.

Në fillim të këtij muaji, shqiptarët në Luginë protestuan kundër kësaj çështjeje.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.

Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë./REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion