Qeveria e Kosovës humb shumicën në Kuvend, opozita kërkon datën e zgjedhjeve ose rrëzimin e saj

Qeveria e Kosovës humb shumicën në Kuvend, opozita kërkon datën e zgjedhjeve ose rrëzimin e saj

Kuvendi i Kosovës, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy opsione për Qeverinë aktuale, të cilën e konsideron se e ka humbur tashmë legjitimitetin për të qeverisur me vendin. Marrëveshje ndërpartiake për datën e zgjedhje të parakohshme apo mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, janë dy opsionet e LDK-së.

Kjo parti politike, ndonëse në opozitë, momentalisht përbën grupin më të madh parlamentar.Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni aktual ka humbur shumicën në Kuvend dhe rrjedhimisht, sipas tyre, ka humbur edhe funksionalitetin. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se fillimisht do të kërkohet një debat me partitë politike për caktimin e një date të zgjedhjeve të parakohshme dhe nëse kjo nuk arrihet, sipas tij, do të vazhdohet me procedurat për mocionin e mosbesimit.

Janë proceduara të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje dhe nuk mbetet asgjë tjetër përpos organizimit të mocionit. Kërkesa për përkrahje nga deputetët dhe grupet politike do të fillojë nga ato opozitare dhe deputetët të cilët ia duan të mirën vendit, duke marrë parasysh skandalet dhe mosefikasitetin e kësaj qeverie.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj

Bazuar në vlerësimet e LDK-së, Kosova ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike. Sipas këtij subjekti opozitar, "temat e rëndësishme për qytetarët e vendit nuk mund të adresohen nga një Qeveri e pakicës dhe si rezultat, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme". Por, pjesa tjetër e opozitës, që dominohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, i cili paraqet fraksionin e Vetëvendosjes në Kuvend, nuk po e shohin ende si shumë serioze nismën e LDK-së.

Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht lidhur me mocionin e përfolur nga LDK-ja, nuk shihet se ka diçka konkrete dhe serioze. Ai tha se derisa flitet në media nga zyrtarët e LDK-së për atë se çka do të bëhet, deputetët e këtij grupi, nuk mund të marrin ndonjë vendim se a do ta përkrahin apo jo një mocion të mundshëm mosbesimi kundër Qeverisë. Sejdiu tha se Kuvendi i Kosovës është vendi i duhur për të gjitha diskutimet e mundshme në këtë drejtim.

Përderisa nuk ka asnjë iniciativë konkrete, por gjithçka është në spektrin e diskutimit media, edhe ne nuk kemi çka të shtojmë. Kurdo që ka ndonjë iniciativë për tryezë të përbashkët të subjekteve opozitare ku do të diskutohet për të ardhmen, ne do të jemi pjesë e asaj tryeze dhe pas diskutimeve aty do të marrim vendime.

Dardan Sejdiu

Në anën tjetër, Armend Zemaj i LDK-së tha se për dallim nga partitë e tjera, LDK-ja ndihet përgjegjëse që vendi me Qverinë aktuale është duke shkuar drejt degradimit dhe jo përmirësimit. Megjthatë, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por deputeti Zemaj thotë se LDK do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë. 

Ne do të pretendojmë që t'i sigurojmë votat dhe do të shohim vullnetin politik të Kuvendit dhe grupeve politike, duke përfshirë edhe grupet opozitare.

Armend Zemaj

Ndërkohë, nismat për rrëzimin e Qeverisë i mbështetë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Përmes një postim të tij në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se janë bërë katër javë prej se Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur qëndrimin e saj se kjo Qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bjerë.

Lëvizja Vetëvendosje është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e Qeverisë. Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë Qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm.

Albin Kurti

Ai ka shkruar në fund po ashtu se "nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit”.
Ndonëse ka humbur shumicën në Kuvend, Qeveria e Kosovës po e vazhdon punën dhe mandatin kushtetues. Mbijetesa e Qeverisë, nuk po shihet problem sa po vlerësohet problematike marrja e vendimeve dhe sigurimi i mbështetjes në Kuvend për zbatimin e tyre.
Pas konfirmimit të largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me 61 vota në Kuvend, edhe zyrtarisht tani mbetet në kuotën e 51 votave, që nënkupton se e ka humbur shumicën./REL/
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur