Masat ndëshkuese të BE, Qeveria e Kosovës: Të dënohet edhe Serbia! Kurti: Kemi qenë kritikë me ta por jo cinik

Masat ndëshkuese të BE, Qeveria e Kosovës: Të dënohet edhe Serbia! Kurti: Kemi qenë kritikë me ta por jo cinik

KOSOVË- Qeveria i është kundërpërgjigjur BE-së, zyrtarë të së cilit specifikuan masat ndëshkuese që mund të merren ndaj Kosovës për situatën në veri. Ekzekutivi i ka thënë televizionit Dukagjini se është e vështirë të arsyetohet se si BE-ja ndërmerr masa negative ndaj Kosovës, të cilën më parë e ka vlerësuar pozitivisht për progresin e saj

Pezullimi i punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.

Këto masa ndëshkuese janë specifikuar mbrëmjen e së martës në Bruksel si paralajmërim për Kosovën për shkak të mosndërmarrjes së hapave të kërkuar nga BE-ja për uljen e tensioneve në veri.

Por ndaj kësaj deklarate të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Koopman, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për televizionin Dukagjini të mërkurën, zëdhënësi i Ekzekutivit, Përparim Kryeziu e ka vlerësuar të padrejtë dhe jo fer çfarëdo mase ndaj Kosovës.

“Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian ndërmarr masa negative ndaj Kosovës, të cilën në raportin e tij të fundit për vendit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimin dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizën ligjore në përputhje me Acquis të BE-së”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka rikujtuar propozimin pesë pikësh të kryeministrit Albin Kurti për depërshkallëzimin e situatës, i cili sipas tij, do të ruante parimin e sundimit të ligjit dhe t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja.

Por, Qeveria kritikon BE-në për mos qortim të hapur dhe të prerë ndaj Serbisë pas sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Situata u përshkallëzua atëherë kur grupe kriminale dhe formacione ilegale dhe paralele sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarë që raportonin nga terreni. Grupe këto me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar dhe formacione ilegale, si e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile”, të cilat me marrëveshje të Brukselit, nuk do të duhej të ekzistonin. E megjithatë asnjë vërejte të hapur e të prerë për Serbinë. Pavarësisht gjithçkaje ne e vlerësojmë mbështetjen dhe ndihmën e BE-së dhe me padurim e presim pyetësorin për anëtarësim”, ka thënë ai.

Koopman, bashkë me emisarin Mirosllav Lajçak, mori pjesë në debatin e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Gjatë diskutimeve, shumica e deputetëve të PE-së kritikuan qasjen e BE-së.

Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.

Eurodeputetët kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj shtetit serb, por as Lajçak dhe as Koopman nuk u janë përgjigjur kësaj kërkese./Express

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:21
Kurti për masat e BE-së kundër Kosovës: Me raste kemi qenë kritikë, por asnjëherë cinikë ose të hidhëruar

1687270855_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në mbledhjen e qeverisë për masat që Komisioni Evropian i ka paraqitur pas tensioneve në veri.

Kurti ka thënë se me raste kanë qenë kritikë, por jo të hidhëruar ose cinik me BE-në.

“Më lejoni të adresoj një zhvillim të fundit. Komisioni Evropian dje ka paraqitur para Bashkimit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin e aleatin më të sinqertë e të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike e interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, popullin. Së pari popullin e pastaj qeverinë. Me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot, kur në dhjetor dorëzuam aplikacionin tonë për anëtarësim, besuam që në të ardhmen e parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni”, tha Kurti, transmeton Nacionale.

Kurti tha se e ardhmja e Kosovës është drejt BE-së, pavarësisht zhvillimeve rrethanore, siç i quajti ai.

“Raporti i fundit për vendin tonë e përshkruan e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë, si në luftën ndaj krimit e korrupsionit, ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore. Aty e gjejmë hijen e vërtetë të BE-së, si organizëm mbikombëtar i drejtë e meritokratik. Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne vlerësojmë ndihmën e BE-së përgjatë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim, sepse Evropa është kontinenti ynë, e BE-ja fati ynë”, deklaroi Kurti në mbledhjen e qeverisë.

M.Q./M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 29/06/2023 09:47

    PO KUSH DO TA BEJE BORELLI NJE SPANJOLL( QE NUK E NJEH KOSOVEN) APO LAJCAK NJE SLLOVAK( QE NUK E NJEH KOSOVEN).....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës