Masat e reja anti-COVID hyjnë në fuqi sot në Kosovë! Vaksinë ose test për të hyrë, maska e detyrueshme në ambientet e hapura, rikthehet ora policore, shtyhet viti shkollor

Qeveria e Kosovës ka miratuar ditën e djeshme një vendim duke ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, të cilat hyjnë në fuqi ditën e nesërme.Një prej masave është se të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar për një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në ora 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme. Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës. Qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë më 13 shtator.

Duke qenë se situata epidemiologjike në vend është rënduar, masat pritet të hyjnë në fuqi nga neser, pas publikimit të vendimit.

Këto janë të gjitha masat antiCOVID të marrë nga qeveria e Kosovës

Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë e mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; 2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

 3. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës  2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

4. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:

4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID19;

4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

4.6 Personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.

5.Nga data 30 gusht deri me datë 12 shtator 2021, në institucionet publike dhe private, obligohet që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial udhëzohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.

6. Punëdhënësit publik dhe privat obligohen që në bashkëpunim me punëtorët të përcaktojnë stafin esencial.

7. Punëdhënësit publik dhe privat udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit, kur kjo të jetë e mundur.

8. Nga data 13 shtator 2021, të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.

9. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një person përgjegjës, i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

10. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

11. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

12. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

13. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

14. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:

14.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;

14.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;

14.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

15. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

16. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 15.

17. Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00,

17.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);

17.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;

17.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

17.4 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohëshme sipas pikës 19, për shkak të ngjarjes së rëndësisë së veçantë.

18. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

19. Ministri i Shëndetësisë mundet që për për ngjarje të rëndësisë së veçantë, të lëshojë lejë të veçantë, sipas së cilës lejohet vetëm për nevoja të kësaj ngjarje, që kufizimi i qarkullimit të zgjatet përkohësisht për një kategori të caktuar të personave.

20. Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 shtator 2021.

21.Përjashtimisht nga pika 20, institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor vazhdojnë aktivitetin sipas udhëzuesit përkatës.

22.Nga data 13 shtator 2021, stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

23. Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni arsimor sipas pikës 21, është i obliguar të caktojë një person përgjegjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve. E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.. F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

26. Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime, ngjarje kulturore). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave. 26.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale.

27. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

28. Pavarësisht pikës 26 dhe 27, për koncerte dhe festivale vlen pika 31.

29. Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.

30. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.

31. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskurzioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gj. [Gastronomia]

32. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

33. Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

34. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

35. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokalave të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

35.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:

35.2 Ndërsa paguan porosinë;

35.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

35.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

36. Në rastet nga pika 35.1 deri 35.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.

37. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

38. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

39. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

40. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.

41. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

42. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

43. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

44. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

45. Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna/përdorimi i këndeve të lojrave për fëmijë. Ndërsa për shërbimet e gastronomisë në kuadër të qendrave tregtare vlen pika 33.

46. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave. J. [Transporti publik]

47. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.

48. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

49. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë. K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

50. Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021.

51. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet. L. [Sporti dhe rekreacioni]

52. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

53. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

54. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura nuk lejohet prania e shikuesve.

55. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 10 % të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.

56. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

57. Organizatorët e garës janë të obliguar caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

58. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.

59. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

60. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.

61. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit. Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

62. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

62.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

62.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

62.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;

62.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

62.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,

62.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

62.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;

62.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;

62.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

62.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

63. Udhëzuesit nga pika 62 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

64. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi. M. [Zbatimi]

65. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

66. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

67. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

68. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

69. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

70. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:53
Shifra të frikshme nga COVID në Kosovë, humbin jetën 36 persona, 1630 qytetarë pozitiv me koronavirus

Kosova vijon që të regjistrojë shifra të larta të infektimeve me Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike informon se nga 11.017 testime, 1630 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19. Sipas raportit ditor, 61 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 1.060 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Po ashtu sot është regjistruar një rekord viktimash ku në 24 orë 36 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid-19. Ky është numri më i lartë i viktimave i regjistruar deri tani në vend. Në total numri i rasteve aktive është 26.575.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Dha dorëheqjen si kryebashkiak i Shkodrës? Reagon Benet Beci: Kush do të merret me llafe të merret me llafe

Dha dorëheqjen si kryebashkiak i Shkodrës? Reagon Benet Beci: Kush do të merret me llafe të merret me llafe