Tashmë gjithçka është bërë gati në hotel "New York" për ditën e nesërme. Kjo është hera e parë që Kryeministri i ardhshëm Edi Rama do të ketë përballë tij të gjithë ministrat që ai vetë emëroi më 31 korrik, por ende pa marrë zyrtarisht mandatin.
Në këtë kuptim, mbledhja e parë e qeverisë në pritje do të ketë karakter simbolik përsa i takon vendimmarrjes, por në të pritet që Rama të bëjë publik programin qeverisës të 300 ditëve të para. Kështu Rama do të përurojë qeverinë e “Rilindjes shqiptare”, atë që ai e ka cilësuar si programi i 100-vjetorit të dytë të historisë sonë.
Nuk bëhen të ditura elemente të këtij takimi dyditor me ministrat e rinj të qeverisë që nis nga puna në muajin shtator, por në qendër do të jetë programi që grupi i punës që drejtohet nga Ilir Beqja i PS dhe Edmond Haxhinasto i LSI përgatitën për emergjencën e 300 ditëve të para.
Një ditë pas bërjes publik të emrave të ministrave të kabinetit të ri qeveritar, Rama mblodhi disa nga ministrat socialistë, nga të cilët kërkoi që të njihen me dikasterin dhe që do të drejtojnë dhe problematikën që ai përmban dhe të mendojnë për stafet e tyre politike dhe profesionale.
Një tjetër temë që pritet të diskutohet gjatë mbledhjes do të jenë dhe punësimet në administratë, për të cilën Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta.
QEVERIA E RE E SHQIPERISE 2013 – 2017
Kryeministër Edi RAMA
Zv/Kryeministër Niko PELESHI
1. Ministër i Financave Shkëlqim CANI
2. Ministër i Brendshëm Saimir TAHIRI
3. Ministre e Mbrojtjes Mimi KODHELI
4. Ministër i Jashtëm Ditmir BUSHATI
5. Ministre e Integrimit Europian Klajda GJOSHA
6. Ministër i Drejtësisë Nasip NAÇO
7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben AHMETAJ
8. Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian GJIKNURI
9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond HAXHINASTO
10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina GJERMENI
11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave Edmond PANARITI
12. Ministër i Shëndetësisë Ilir BEQJA
13. Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita NIKOLLA
14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion VELIAJ
15. Ministre e Kulturës Mirela KUMBARO-FURXHIU
16. Ministër i Mjedisit Lefter KOKA
17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirian CELIBASHI
18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena HARITO
19. Ministër për Çështjet Vendore Bled ÇUÇI
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)