TIRANE - Qeveria vijon të fshehë sipërfaqen e përmbytur në Shkodër. Pushteti vendor me shifrat që jep tregon se situata është më e rëndë se ajo që deklaron qeveria shqiptare. Ministria e Brendshme në një deklaratë për mediat deklaron se në Shkodër të shtunën situata është përmirësuar ndjeshëm dhe se gjithsej janë vetëm 2 mijë ha tokë bujqësore nën ujë. Nga deklaratë e Ministrisë së Brendshme niveli i ujit ka rënë rreth 40 cm dhe uji është tërhequr në pjesën më të madhe të sipërfaqes së përmbytur

Nga ana tjetër, shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, Pëllumb Dani në një konferencë për shtyp thotë se nën ujë janë gjithsej 3200 ha tokë nën ujë në gjithë qarkun, pra rreth 1200 ha tokë më shumë seç deklaron qeveria.

Dhjetëra banorë në Shkodër vijojnë të mbeten të evakuuar tek të afërmit e tyre, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme sidomos në sektorin e bujqësisë.

Por situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës është përmirësuar. Me ndërprerjen e reshjeve të shiut uji është tërhequr në një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së përmbytur. Brenda 24 orëve të fundit janë mbuluar nga uji i vërshimeve të hidrocentralit të Vaut të Dejës, por dhe lumenjve të tejmbushur, fusha e Trushit të Poshtëm, Dajçit të Bregut të Bunës, ish këneta e Casit, Luarzit dhe tërësisht fusha e Muriqanit, duke e lënë në shifrën 3200 ha tokën bujqësore nën ujë.

Banorët e fshatrave të prekur nga përmbytjet kane nisur evakuimin e bagëtive drejt pikave më të larta, teksa problem kryesor mbetet baza ushqimore për blegtorinë.

SHKODER, RRUGA DREJT VELIPOJES E  PAKALUESHME, 2 FSHATRA TE IZOLUAR

Në Shkodër ura e Ded Gjo Lulit, që të çon në Velipojë është e bllokuar për shkak të ujit. Korrespondenti i Tv A1 REPORT informon se kalojnë vetëm mjetet e tonazhit të lartë uji ka kaluar
nivelin e urës. Edhe  pse reshjet e shiut kanë pushuar, banorët e fshatit Obot, të komunës Ana e Malit janë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit pasi uji në aksin që të çon në këtë fshat është e përmbytur ndërsa uji arrin deri në mbi 2 metër. Për t'u futur në këtë fshat duhet të hipësh në njërën nga varkat e ankoruara të FNSH- së pranë aksit nacional Shkoder- Muriqan. Uji tashmë ka arritur mbi 2 metër ndërsa përgjatë gjithë fushave vëren lehtësisht banorët e Obotit të cilët me mjete lundruese shikojnë nga afër dëmet e shkaktuara. Djana Lohja, banore e Obotit sapo kishte marrë një kredi prej 5 milionësh për ngritjen e serës të cilën e kishte mbjedhë me speca mirëpo vërshimi i ujrave të Bunës pas shkarkimeve i ka shkatërruar cdo gjë. Në mes lotësh Lohja thekson se: “përvec dëmit të shkaktuar tashmë do me duhet të përballem me pagimin e kredisë që do e laja pasi të merrja prodhimin, mirëpo uji më shkatërroi gjithcka. Nuk e di ku ti marrë lektë. Po na shkatërrohet cdo gja pothuase cdo vit.” Ndërkohë kryeplaku i zonës Rrok Çukaj deklaron se “dëmët janë shumë të mëdha sidomos në bujqësi, pasi pothuajse të gjitha tokat janë mbjedhur dhe serat kanë qënë duke u përgatitur për prodhim, mirëpo uji i mori para.”  dëme të mëdha kemi edhe në pëmet dekorative pasi një pjesë e madhe e banorëve i kultivojnë.”

Nga ana tjetër krykomunari i Anës së Malit, Xhevat Mollca shprehet se situata paraqitet problematike në këtë komunë e cila ka mbi 1 400 ha nën ujë ndërsa dëmet janë të mëdha. “Kemi 5 banesa të përmbytura ndërsa dhjetra të tjera të izoluara.  E ndërkohë në komunën e Anës së Malit ka probleme të mëdha edhe në fshatin e Goricës, fshat ky i izoluar pasi uji ka kaluar mbi rrugë duke bllokuar qarkullimin.

FIER,DEL NGA SHTRATI LUMI SEMAN

E ndërsa lumi Vjosë gjatë orëve të mbrëmjes ka ulur intesitetin e prurjeve një tjetër lume ai i Semanit që derdhet në detin Adriatik ka dale nga shtrati gjatë natës. Korrespondenti i TV A1REPORT! Kristaq Thano informon se janë përmbytur zonat që ndodhen nën nivelin e lumit. Dëmtimet janë në fshatrat Jakobinë, në komunën e Strumit si dhe në tokat e Myzeqesë në komunën Mbrostar.
Dalja nga shtrati e lumit Seman ka përmbytur tokat bujqësore, dhe bazat ushqimore për bagëtitë.

NOVOSELE, 30 SHTEPI MBETEN NEN UJE, URA E MIFOLIT KALOHET VETEM NGA MJETET E TONAZHIT TE LARTE 

Kanë rënë dhe prurjet në lumin Vjosë, çka ka sjellë një përmirësim të situatës por jo në fshatin Fitore të komunës Novoselë. Në fshatin Fitore 30 banesa vijojnë të mbeten nën ujë. Aksi Vlorë- Fier tek Ura e Mifolit është i kalueshëm vetëm nga makinat e tonazhit të lartë, ndërsa makinat e vogla nuk kalojnë dot. Nga 1000 ha tokë e përmbytur që ishte regjistruar dje, sipërfaqja është reduktuar në 700 ha. Autoritetet lokale kanë thënë se pasi të hiqet uji, do të bëhet dhe vlerësimi i dëmeve.

Në raportimin e fundit të pasdites së djeshme Ministria e Brendshme informonte se në të gjithë vendin 160 familje ishin evakuuar nga banesat për shkak të përmbytjeve në Shkodër, Vlorë dhe Durrës, ndërkaq gjendeshin nën ujë 2855 ha toke në të gjithë vendin.

Redaksia Online
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)