Qeveria gjermane zgjat mandatin e ushtarëve të KFOR-it

Qeveria gjermane zgjat mandatin e ushtarëve të KFOR-it

Ushtarë

Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë për një vit tjetër qëndrimin e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të KFOR-it për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon. Si më parë, deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision.

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, tha: "Prej tashmë 25 vjetësh, Bundeswehr-i po kontribuon në mënyrë aktive në stabilizimin dhe sigurimin e paqes në Kosovë." Ai theksoi se kontributi i KFOR-it është i nevojshëm për stabilizimin e sigurisë dhe konsiderohet si një shtyllë kryesore e stabilitetit në rajon."

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Müller, tha se mandati mbetet i pandryshuar.

"Ne veprojmë sipas mandatit ekzistues. Kompania gjermane në NATO është në gatishmëri dhe ka marrë kompetenca shtesë, si kontrolli i turmave dhe trazirave." I pyetur për një strategji daljeje nga Kosova, Müller shtoi: "Operacionet e kësaj përmasash diskutohen dhe miratohen gjithmonë nga parlamenti. Ne zbatojmë këtë mandat derisa të vendoset që nuk është më i nevojshëm."

Vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman

Bundestagu do ta trajtojë këtë vendim të qeverisë më 6 qershor 2024, me një debat 40-minutësh. Pas debatit, kërkesa do të kalojë për shqyrtim të mëtejshëm në komisionet përkatëse, të kryesuar nga Komisioni i Jashtëm. Pritet që vendimi, sikurse edhe vitet e mëparshme,  të miratohet me shumicë dërrmuese të votave nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë, SPD, FDP dhe Të gjelbrit, dhe nga grupi më i madh opozitar, CDU/CSU.

Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Qeveria gjermane e paraqet mandatin çdo vit për rishikim dhe miratim në parlament për të siguruar një proces demokratik dhe transparent. Kostoja e misionit për një vit përllogaritet të jetë rreth 21,8 milionë euro. Në prill, qeveria gjermane forcoi përkohësisht kontributin e saj në KFOR me një kompani shtesë për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës.

Situtata e sigurisë në veri mbetet e brishtë

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përkeqësuar që nga viti 2022, me përleshje të dhunshme në Zveçan dhe një sulm paramilitar në Banjskë. Tensionet politike vazhduan edhe në fillim të vitit 2024, përfshirë zgjedhjet e mundshme në komunat veriore dhe rregullimet financiare midis Serbisë dhe Kosovës.

Duke marrë parasysh tensionet, stabilizimi përmes KFOR-it dhe prania e Bundeswehr-it në Kosovë mbeten thelbësore. Në planin afatgjatë, Gjermania synon kalimin e përgjegjësisë së sigurisë tek institucionet kosovare. Deri atëherë, prania e KFOR-it mbetet e nevojshme për të parandaluar konfliktet dhe përshkallëzimet afatshkurtra, thuhet në kërkesën e qeverisë gjermane drejtuar parlamentit.

KFOR-i mbetet garant për sigurinë në rajon

KFOR është krijuar për të garantuar sigurinë në Kosovë dhe mbikëqyrjen e strukturave profesionale, demokratike dhe multi-etnike. Përfshirja e Bundeswehr-it përfshin mbështetjen e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe aktorëve të tjerë në kuadër të reformës së sektorit të sigurisë.

Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet baza për KFOR-in, të cilën të dyja vendet dëshirojnë ta vazhdojnë. Politikat e qeverisë gjermane synojnë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetjen e stabilitetit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës./DW

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash