Edhe seanca e kësaj të premteje u mbyll pa një vendim. Do të duhet të pritet 12 dhjetori, për një vendimmarrje të mundshme mbi dosjen “Veliaj”, nëse Gjykata e Posaçme do e kalojë për gjykim, do ia rikthejë SPAK-ut për plotësim, apo do e pushojë.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës thotë në disa prej seancave ka thënë se nuk është njohur me aktet pasi nuk i është vënë në dispozicion dosja fizike, por vetëm një USB të cilën nuk e lexon dot pas nuk ka laptop në qeli.

Avokati Alban Duraj tha në emisionin “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv se zakonisht prokuroria në vendin tonë nuk i vë në dispozicion aktet mbi të cilat ka dalë në konkluzionin që i pandehuri është fajtor.

“Prokuroria dërgon kërkesën në Gjykatë lidhur me dërgimin e çështjes në gjyq dhe kërkon që të dënohet dhe gjykata të shpallë fajtor palët të cilët janë në këtë proces, pra është zoti Veliaj dhe të pandehur të tjerë. Natyrisht që nëse palët që janë të proceduar apo të pandehur, nuk i janë vënë në dispozicion aktet dhe ndodh rëndomtë, pra është për të ardhur keq që ndodh që palët i marrin aktet e tyre në momentin që shkojnë në seancën paraprake. Pra në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale, e cila u ofron mundësi palëve që të njihen me aktet në fazën proceduriale ku i komunikohet akuza, natyrisht që i lihet një afat 10-ditor në mënyrë që i pandehuri të bëjë prapësimet e tij, ka të drejtë të depozitojë prova që provojnë pafajësinë. Nga praktika them që neve nuk na i vë në dispozicion prokuroria aktet mbi të cilat ka dalë në konkluzionin që palët që përfaqësojmë janë fajtorë”,- tha Duraj.

Në seancën e kaluar paraprake ku Veliaj për herë të parë ishte vetë i pranishëm, kërkoi të mos vendosej në kafaz në sallën e gjyqit, por krah avokatit. Kërkesa u rrëzua në sallë nga gjyqtarja me argumentin se s’e parashikon ligji.

Por avokati Duraj thotë po ashtu nuk ka asnjë ligj që parashikon specifikisht mbajtjen e të pandehurit në kafaz të qelqtë gjatë seancës.

“Ku është kjo e parashikuar në ligj që mundet të qëndrosh në kafaz i izoluar, pra ligji e ka parashikuar shumë qartë që gjykata duhet të sigurojë kushtet që i pandehuri mos të largohet, që të mos arratiset. Pra është një cënim i të drejtës së qytetarit apo të pandehurit për të patur një proces të rregullt ligjor, sepse ai nuk ka mundësi që të komunikojë më avokatin e tij. Nëse do të marrim parasysh kafazin që ndodhet në GJKKO, i pandehuri nuk ka mundësi të dëgjojë diskutimin me avokatin. Ka pyetje që gjykata apo prokuroria i drejton të oandehurit dhe ai nuk kupton asgjë se çfarë po bëhet me procesin”,- tha Duraj.