Qeveria ka miratuar sot një vendim i cili ka parashikuar të shpërblejë me 130 milion lekë të vjetra 8 anëtarë të KED-së si edhe ekspertë që asistojnë punën e tyre. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organi i ri i ngritur në sistemin e drejtësisë i cili parashikon ndër të tjera miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si edhe të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi:
PËR
NJË SHTESË FONDI, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR SISTEMIN E DREJTËSISË, MIRATUAR PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Gjykatës së Lartë, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime personeli”, i shtohet fondi, prej 9 929 904 (nëntë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër) lekësh, për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe të personelit mbështetës të caktuar pranë tij nga Gjykata e Lartë.
Gjykatës së Lartë, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime operative”, i shtohet fondi, prej 3 300 000 ( tre milionë e treqind mijë) lekësh, për shpërblimin e ekspertëve dhe shpenzimet e tjera operative të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Efekti financiar, prej 13 229 904 (trembëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për sistemin e drejtësisë, miratuar për vitin 2019.
Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1 janar 2019.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA