Është hedhur këtë të hënë, në ambientet e Presidencës shorti për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2026. Kryetar i KED është zgjedhur Ilir Panda, pasi sipas ligjit kryetari i KED është anëtari përfaqësues i Gjykatës së Lartë.

Për anëtarët e KED, sipas ligjit zgjidhen 2 anëtarë nga Gjykata Kushtetuese, 1 nga Gjykata e Lartë (që është sipas ligjit edhe kryetari i KED), 1 nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 nga Gjykatat e Apelit, 2 nga prokuroritë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, dhe 1 nga Gjykata Administrative. Anëtarë zëvendësues janë nga një për çdo institucion.

Shorti zgjodhi Fiona Papajorgji dhe Marjana Semini nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa nëse njëri prej tyre mungon atëherë anëtar zëvendësues është Gent Ibrahimi

Nga Gjykata e Lartë Ilir Pandën  do ta zëvendësojë Valbon Çekrezi.

Gjatë shortit që u mbikëqyr nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, anëtari nga Prokuroria e Përgjithshme u zgjodh Alfred Progonati, ndërsa zëvendësues Anila Leka.

Goglat shortuan Ornela Naqellari dhe Ilirjana Olldashi mes mbi 50 kandidatëve të Gjykatave të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ndërsa anëtare zëvendësuese u zgjodh Selvie Gjoçaj.

Sa i përket anëtarëve nga Prokuroria e Apelit të juridiksionet të përgjithshëm u zgjodhën Altin Binaj dhe Afërdita Ndoji, ndërsa zëvendësues Arben Qosja.

Anëtarja e nëntë, e zgjedhur nga Gjykatat Administrative në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, do të jetë Klodiana Veizi dhe zëvendësues Bezart Kaçkini.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtar me një mandat 1 vjeçar, dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Anëtarët e KED për vitin 2026
Fiona Papajorgji    Gjykata Kushtetuese;
Marjana Semini    Gjykata Kushtetuese;
Ilir Panda         Gjykata e Lartë (kryetar i KED)
Alfred Progonati    Prokuroria e Përgjithshme
Ornela Naqellari    Gjykata e Apelit;
Ilirjana Olldashi     Gjykata e Apelit; 
Altin Binaj        Prokuroria e Apelit;  
Afërdita Ndoji    Prokuroria e Apelit;   
Klodiana Veizi    Gjykata Administrative.
Anëtarët Zëvendësues: 
Gent Ibrahimi         Gjykata Kushtetuese
Valbon Çekrezi         Gjykata e Lartë;
Anila Leka             Prokuroria e Përgjithshme;
Selvie Gjoçaj        Gjykatat e Apelit; 
Arben Qosja         Prokuroria e Apelit;
Bezart Kaçkini        Gjykata Administrative