“Mbrojtje për të gjithë ata punonjës që sinjalizojnë shkeljet ligjore, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.” Me këtë parim qeveria i propozon kuvendit projektligji i cili synon të forcojë sistemin e sinjalizimit dhe mbrojtjen e personave që raportojnë korrupsionin apo shkelje të ligjit.
Projektligji i depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erion Malaj, parashikon ngritjen e një mekanizmi të unifikuar sinjalizimi, nëpërmjet kanaleve të brendshme brenda institucioneve dhe kompanive, apo edhe tek autoritetet kompetente. Institucionet publike dhe subjektet private me më shumë se 50 punonjës detyrohen të krijojnë struktura të posaçme për pranimin, shqyrtimin dhe administrimin e sinjalizimeve.
Në thelb të nismës qëndron mbrojtja e sinjalizuesit. Çdo person që raporton një shkelje gëzon garanci të forta ligjore kundër hakmarrjes. Ligji ndalon veprime si largimi nga puna, pezullimi, transferimi i detyruar, ulja e pagës, kufizimi i mundësive të avancimit, presione administrative apo psikologjike,si dhe çdo formë diskriminimi për ata punonjës që kanë raportuar një shkelje ligjore.
Një nga fushat ku projektligji vë theks të veçantë është prokurimi publik.
Shkeljet në tendera dhe kontrata publike konsiderohen me rrezik të lartë, ndaj sinjalizimi në këtë sektor trajtohet si prioritet. Projektligji parashikon se punonjësit e institucioneve që kryejnë procedura prokurimi, si dhe persona të tjerë që bien në dijeni të parregullsive, mund të raportojnë raste që lidhen me, manipulimin e procedurave të tenderimit, favorizimin e operatorëve ekonomikë, konfliktet e interesit, parregullsitë në dokumentacion, shkeljen e rregullave financiare, apo çdo praktikë që cenon konkurrencën e ndershme.
Institucionet publike që administrojnë tendera janë të detyruara të krijojnë njësi të brendshme sinjalizimi, ndërsa zyrtarët që nuk i vendosin këto struktura, ose pengojnë raportimin, përballen me masa ndëshkuese.
Projektligji thekson se sinjalizimi është veçanërisht i rëndësishëm edhe për mbrojtjen e fondeve të Bashkimit Evropian, të cilat përdoren në projekte publike, zhvillim ekonomik dhe investime infrastrukturore.
Projektligji kërkon gjithashtu ruajtjen e plotë të konfidencialitetit, duke ndaluar publikimin e identitetit të sinjalizuesit ose çdo informacioni që mund ta identifikojë atë. Institucionet që lejojnë ose shkaktojnë nxjerrjen e të dhënave dhe shkelin anonimitetin do të gjobiten.
Gjobat luhaten nga 100 mijë lekë (të reja) deri në 500 mijë lekë (të reja), në varësi të llojit dhe rëndësisë së shkeljes që lidhet me pengimin e sinjalizimit, qoftë përmes presioneve, kërcënimeve apo ndërhyrjeve, marrjen e masave hakmarrëse ndaj sinjalizuesit, moskrijimin e kanaleve të brendshme të sinjalizimit nga subjektet që janë të detyruara, shkeljen e konfidencialitetit së sinjalizuesit si dhe rastet kur dikush paraqet sinjalizim të rremë me qëllim dëmtimi.
Projektligji synon të përputhet me standartet e Bashkimit Evropian, duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe luftën kundër abuzimeve si në administratë, ashtu edhe në biznes. Ai pritet të shërbejë si një mjet i fortë për të inkurajuar raportimin e shkeljeve, duke garantuar mbrojtje të sigurt për të gjithë sinjalizuesit. Me miratimin e këtij ligji në Kuvend shfuqizohet ligji I 2016-ës për ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












kete kishim mangut se keni pa qe sdo me njeri te shkoje te punoje ne shtet medet per ju o derra
PërgjigjuDyfishoni denimet
PërgjigjuVertet e keni ju!!!Nje kolege jona denoncoi nje shkelje te rende me idene qe Antikorupsioni do ndershkonte abuzuesit,ata i dhane emrin Drejtuesit dhe e zhduken nga puna.
Përgjigju