Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e sotme që t'i propozojë Kuvendit emrat e ish-ministrit të Financave Ervin Mete dhe Jonida Priftit për anëtarë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

VKM: V E N D I M PËR PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË DY ANËTARËVE PËR KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË BANKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA

I shkëputur nga politika që prej vitit 2024, Ervin Mete është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare. Gjatë periudhës kur drejtoi Ministrinë e Financave, vendi shënoi ulje të borxhit publik, forcim të disiplinës fiskale dhe ruajtje të stabilitetit makroekonomik, në një kohë kur ekonomitë europiane përballeshin me presione të forta inflacioniste dhe fiskale.

Në të njëjtën periudhë, Shqipëria doli nga lista gri për pastrimin e parave, ndërsa u ndërmorën hapa konkretë për mbylljen e disa kontratave koncesionare, në funksion të uljes së rreziqeve fiskale dhe rritjes së transparencës në financat publike.

Më herët, Mete ka drejtuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare. Në këtë rol, ai ka pasur përgjegjësi edhe për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit, ku bankat janë aktorë kyç. Gjatë drejtimit të tij, u shënuan një sërë zhvillimesh pozitive në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht në fushën e fondeve të investimit, tregjet e kapitalit dhe fondet e pensioneve private, duke modernizuar më tej këto tregje.

Përvoja e tij institucionale përfshin gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë, si në aspektin e koordinimit të politikave fiskale dhe monetare, ashtu edhe në ndërtimin e kuadrit rregullator për tregjet financiare.

Aktualisht janë 6 vakanca në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por Kuvendi ka shpallur 3 vakanca, ndërsa 3 propozime për vakancat e tjera mund të bëhen nga qeveria. Janë 20 kandidatë të vetë-ofruar për 3 vendet e shpallura nga Kuvendi, mes tyre Artan Hoxha (rikandidim), Selami Xhepa, Violeta Staka (rikandidim), Pajtim Melani etj. Kandidaturat që shpalosën platformat e tyre në Komision tashmë duhet të sigurojnë nga 28 firma deputetësh që të kalojnë për miratim në Kuvend.

Këshilli i Bankës ka në total 9 anëtarë, por aktualisht vetëm 3 prej tyre kanë ende mandat Gent Sejko, Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, për këtë arsye këshilli nuk mund të marrë vendime derisa të zgjidhen 6 anëtarët e rinj.