Pas shumë e shumë peripecive drita jeshile për rfillimin e Seria A u ndez sot. Ministri i Brendshëm i Italisë konfirmoi se çdo qytetar apo sportistë mund të nisë aktivitetin në mënyrë personale, duke respektuar distancat e sigurisë.
Konkretisht ministri u shpreh: “Duke filluar nga e hëna me katër maj, çdo sportistë apo qytetar do të lejohet të marrë pjesë në aktivitet sportive individuale, në zonë publike dhe private, duke respektuar distancën e sigurisë fizike, të paktën dy metra larg një personi tjetër.”
Si rrjedhojë kush mundet do të nisë që nesër stërvitjen individuale. Më herët këtë e ka deklaruar Sassuolo, që në dispozicion të futbollistëve ka vendosur qendrën stërvitore. Ndërkohë të martën do të nisë stërvitjen Bologna, ndërsa gjatë javës të njëjtën gjë do të bëjë edhe Parma.
Të tre këto klube këtë vendim e kishin marë më herët si pasojë e lejes së veçantë të rajonit ku ndodhen, por me të rejat e fundit pritet që brenda javës së ardhshme çdo klubi Seria A të nisë stërvitjen individuale, e cila do të zgjasë deri më 17 maj.
Më pas do të jenë autoritet ata që do të vendosin nëse pas kësaj date do të lejohet stërvitja në grup, gjithmonë në bazë të protokollit të jashtëzakonshëm shëndetësor.