TIRANE, 4 shkurt /ATSH/. - Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11 e 51, pika 3, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, "Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë", me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhjen e te merkures :









I. KRIJIMIN E INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT DHE PYJEVE 
1. Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (në vijim "ISHMP") si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin.
 2. Ministria përgjegjëse për mjedisin mbështet funksionimin efektiv të ISHMP-së. Në këtë përgjegjësi nuk përfshihet drejtimi operacional i veprimtarisë së inspektimit.

II. MISIONI DHE FUNKSIONET E ISHMP-së 
1. ISHMP-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe pyjeve.
2. ISHMP-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse, në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMP-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër, të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror, që mbulon fushën e mjedisit.
4. ISHMP-ja ushtron juridiksionin e vet territorial në të gjithë territorin e vendit. /a.ke/