Qeveria e Kosovës do të nisë nga 1 qershori zbatimin e një programi për subvencionimin e kompanive ajrore që transportojnë mërgimtarët drejt vendit gjatë sezonit veror. Sipas dokumenteve të publikuara nga mediat në Kosovë, mbështetja financiare do të variojë nga 3 deri në 6 euro për çdo pasagjer, në varësi të performancës dhe kritereve që duhet të plotësojnë kompanitë.
Programi, i quajtur “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, përfshin fluturimet nga dhe drejt vendeve ku jeton një pjesë e madhe e diasporës shqiptare, mes tyre Zvicra, Gjermania, Austria, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia, Danimarka dhe Turqia.
Për t’u bërë pjesë e skemës, kompanitë ajrore duhet të dorëzojnë paraprakisht planin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Më pas, në fund të sezonit veror, performanca e tyre do të verifikohet për të përcaktuar nivelin e mbështetjes që do të përfitojnë. Vlerësimi përfundimtar do të bëhet pas 24 tetorit, kur mbyllet sezoni veror i fluturimeve.
Dokumenti parashikon tre kategori subvencionimi. Sipas kriterit të parë, kompanitë do të marrin 3 euro për çdo pasagjer nëse realizojnë të paktën 85% të fluturimeve të planifikuara.
Kriteri i dytë lidhet me shtimin e fluturimeve përtej planit fillestar. Në këtë rast, kompanitë mund të përfitojnë 6 euro për çdo pasagjer shtesë, por vetëm nëse të paktën 80% e vendeve në avion janë të zëna.
Ndërkohë, kriteri i tretë parashikon mbështetje financiare edhe për kompanitë që hapin linja të reja ajrore drejt Kosovës. Edhe në këtë rast kërkohet që fluturimet të operojnë me të paktën 80% të kapacitetit të avionit.
Sipas autoriteteve në Kosovë, qëllimi i programit është ruajtja dhe zgjerimi i lidhjeve ajrore me tregjet europiane, si dhe përmirësimi i lidhjes së vendit me destinacionet ndërkombëtare gjatë muajve të verës, kur kërkesa për udhëtime rritet ndjeshëm për shkak të kthimit të mërgimtarëve.
Vendimi është miratuar nga qeveria pak para nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë dhe ka shkaktuar debat politik. Opozita e ka kritikuar masën, duke pretenduar se ajo mund të ketë ndikim elektoral. Kryeministri Kurti, i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se subvencionimi është i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin e fluturimeve gjatë sezonit veror dhe për të ndihmuar kompanitë ajrore të përballojnë kostot operative.
Komente








