Më problematike është situata për studentët e degës së Gjeografisë të fakultetit filologjik, të cilët në vitin e fundit kanë të përfshirë në kurrikul udhëtime dyjavore nëpër të gjithë Shqipërinë. Problematike është situata edhe për studentët e profilit të Biologjisë te Shkencat e Natyrës, të cilët në periudha të caktuara të vitit, programi mësimor parashikon ekspedita disaditore, kryesisht në laguna, për mbledhjen e specieve të rralla. Madje ka pasur edhe nga ata raste kur janë bërë gati urbanët dhe studentët janë kthyer mbrapsht, pasi nuk u është garantuar mbështetja financiare për hotelin ku do të qëndrojnë, apo ushqimet që do të konsumojnë. Kjo pasi sipas një vendimi të këshillit të ministrave, studentët nuk do të zhvillojnë më ekspedita disa ditore, në varësi të profilit të degëve në të cilin ata po diplomohen, por vetëm udhëtime vajtje-ardhje. Ose e thënë më qartë vendimi në të vërtetë heq pagesën për pedagogët dhe studentët që marrin pjesë në ekspedita të tilla, ose ata mund të bëhen vetëm nëse ka lekë fakulteti.

Vendimi
Vendimi është marrë nga këshilli i ministrave me datë 10 dhjetor 2010 dhe vendos kufizimi për personelin që do të përfitojë dieta nga udhëtimet për arsye pune brenda vendit. Lapsi ka kapur edhe studentët, pasi në pikën 7, të vendimit “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen për shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit” thuhet se pedagogët e studentët nuk do të përfitojnë mbështetje financiare për praktikat mësimore. “Studentët dhe nxënësit, si dhe trupa shoqëruese pedagogjike, që kryejnë praktika mësimore, ekspozita apo veprimtari, jashtë qendrës së institucionit arsimor publik, nuk përfitojnë dietë. Shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes së tyre përballohen nga institucionet përkatëse të arsimit, sipas dokumenteve përkatëse tatimore, të përcaktuara në pikën IV, të këtij vendimi”, - thuhet në pikën 7 të këtij vendimi.

Ndërkohë që edhe në ndarjen e buxhetit që u është dhënë fakulteteve, nuk janë parashikuar fonde, me të cilët do të mbështeten të rinjtë që do të dërgohen në ekspedita. Një praktikë mësimore kjo që aplikohet kryesisht te vitet e treta të studentëve të Letërsisë, Historisë, Gjeografisë apo të disa profileve të Shkencave të Natyrës. Por dekanati i Filologjikut ka menduar që gjithsesi t’i dërgojë studentët e tij nëpër këto praktika mësimore, ndërsa ai i Shkencave të Natyrës e kanë ca më të vështirë. Vetëm se ekspeditat, kësaj here, do të jenë vajtje-ardhje, brenda ditës. Por të rinjtë e Filologjikut kanë mbetur të pakënaqur, ndaj kanë kërkuar një sqarim për këtë situatë, pasi sipas tyre është e pamundur që të bëjnë ekspedita të tilla. Dekanati i ka sqaruar se është vendimi i qeverisë ai që nuk i lejon që të aplikojnë praktikat mësimore disa ditore, vetëm në rast se ata do të marrin vetë përsipër shpenzimet e udhëtimit. Për këtë arsye, të rinjtë e këtij fakulteti kanë nisur të hartojnë një peticion, të cilin do ia dërgojnë dekanatit të fakultetit ku i kërkojnë që të ndërhyjë pranë institucioneve përgjegjëse për të zgjidhur këtë situatë. Sipas tyre është absurde të mendosh që ekspeditat mund të bëhen ditore, pra vajtje-ardhje, pasi një pjesë e mirë e studentëve se përballojnë dot.

(ek/im/shqiptarja.com)