Në mbështetje të Ligjit për Diasporën dhe me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën dy vendime me interes për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit; atë për “Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesëve të Këshillit Koordinues të Diasporës” dhe për ‘Kriteret dhe mënyrën e ndarjes së çmimit ‘Ambasador i Kombit” .
Vendimi i parë lidhet me ngritjen e Këshillit Koordinues, për përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve me diasporën.
Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë, identifikon problemet e diasporës, i propozon Ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; etj. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri dhe ministrat kryesorë.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me vlerësimin e pjesëtarëve më të suksesshëm të diasporës me çmimin “Ambasador i kombit”, si edhe përcaktimin e kritereve dhe mënyrën e ndarjes së këtij çmimi. Personave që do t’u akordohet çmimi duhet të kenë dhënë kontribut në fusha të tilla si; veprimtari humanitare; arsim, shkencë e teknologji, kulturë etj. Propozimet lidhur me përfaqësuesit e suksesshëm të cilëve do t’u jepet çmimi, do të bëhen nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të akredituar jashtë vendit.
Vendimi i parë
1. Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së 15 përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës.
2. Përfaqësuesit e diasporës, kandidatë për anëtarë në Këshillin Koordinues të Diasporës, përveç kritereve të parashikuara në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, duhet të jenë:
a) persona të spikatur në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit etj. apo të suksesshëm në fushën e biznesit;
b) persona të njohur në fushën e filantropisë dhe të kenë kontribuar në çështje që lidhen me diasporën apo vendin e origjinës;
c) pjesë aktive e forumeve organizative të diasporës në vendet pritëse.
3. Për procedurën e propozimit e të zgjedhjes duhet të zbatohen edhe dispozitat e legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
4. Numri i kandidaturave duhet të jetë jo më pak se dyfishi i numrit të përfaqësimit, duke iu referuar rendit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 20, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”.
5. Ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet ministrit përgjegjës për punët e jashtme, i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës.
6. Ambasadorët bashkëpunojnë me organizatat e diasporës, të njohura e të regjistruara sipas legjislacionit të vendit pritës, për gjetjen e kandidaturave.
7. Për raste të veçanta ose në mungesë të kandidaturave të propozuara, propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës (jo më shumë se 3 propozime) mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën.
8. Propozimet duhet të shoqërohen me jetëshkrime e dokumente, kualifikime dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së përfaqësuesit tё propozuar.
9. Në vijim të propozimeve të ardhura, ministri përgjegjës për diasporën përzgjedh 15 kandidatët për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ia përcjell për miratim Këshillit të Ministrave.
10. Të paktën 30 për qind e anëtarësisë duhet të jetë e përfaqësuar nga gjinia femërore.
11. Përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës zgjidhen për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë.
12. Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës lirohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar, në rastet kur:
a) jep dorëheqjen, me kërkesë individuale;
b) ushtron veprimtarinë në kushtet e konfliktit të interesit;
c) lirohet për shkaqe të tjera.
13. Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës shkarkohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar, në rastet kur:
a) neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e këshillit drejtues;
b) nuk përmbush funksionet e parashikuara nga ligji nr.16/2018, “Për diasporën”, dhe nga ky vendim;
c) nuk merr pjesë, pa arsye, në mbledhje për më shumë se 2 herë radhazi;
ç) bëhet i paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara për shkak të sëmundjeve fizike ose mendore;
d) gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, vepron në kundërshtim me interesat e Këshillit Koordinues të Diasporës.
14. Ministri përgjegjës për diasporën, jo më vonë se 30 ditë pune para mbledhjes së ardhshme të Këshillit Koordinues të Diasporës, i propozon Këshillit të Ministrave kandidatët e rinj, për të zëvendësuar anëtarin e liruar apo të shkarkuar. Mandati i zëvendësuesit llogaritet i plotë, nga dita e emërimit të tij.
15. Përjashtimisht për zgjedhjet e para, propozimet duhet të dorëzohen para fundit të muajit gusht 2018.
16. Ngarkohen ministri përgjegjës për diasporën, ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe Agjencia Kombëtare për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi i dytë
1. Përcaktimin e kritereve dhe të mënyrës së ndarjes të çmimit “Ambasador i Kombit”.
2. Ndarja e çmimit “Ambasador i Kombit” udhëhiqet nga parimet e vlerësimit të kontributit, meritokracisë, transparencës, mirënjohjes publike. Kriteret, që duhet të plotësojnë pjesëtarët e suksesshëm të diasporës për marrjen e çmimit, janë:
a) integriteti dhe reputacioni në komunitetin ku ai/ajo jeton;
b) përfaqësimi i suksesshëm në diasporë në:
– veprimtari humanitare;
– arsim, shkencë, teknologji;
– kulturë apo sport;
– biznes.
c) kontributi i veçantë për Republikën e Shqipërisë apo diasporën.
3. Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë, të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet ministrit përgjegjës për punët e jashtme, i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën përfaqësuesit më të suksesshëm të komuniteteve shqiptare jashtë vendit për dhënien e çmimit “Ambasador i Kombit”.
4. Propozimet duhet të shoqërohen me biografinë dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së subjektit tё propozuar.
5. Ministri përgjegjës për diasporën vlerëson propozimet e ardhura, së bashku me rekomandimet për dhënien e çmimit, dhe ia propozon ato, zyrtarisht, Kryeministrit.
6. Çmimi “Ambasador i Kombit” jepet nga Kryeministri.
7. Çmimi “Ambasador i Kombit” i dorëzohet personalisht personit që merr çmimin, por, në raste të veçanta, mund t’i dorëzohet edhe familjarëve apo përfaqësuesve të tij.
8. Çmimi “Ambasador i Kombit” nuk ka vlerë monetare.
9. Çmimi “Ambasador i Kombit” jepet në formën e një certifikate.
10. Forma e certifikatës “Ambasador i Kombit” është sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi.
11. Përjashtimisht, për raste të veçanta, propozimi për çmimin “Ambasador i Kombit” mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën, në përputhje me këtë vendim, dhe, në këtë rast, nuk do të zbatohet parashikimi i pikës 3.
12. Ngarkohen ministri përgjegjës për diasporën, ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe Agjencia Kombëtare për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.