Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë projektvendimesh që synojnë forcimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë.

Vendimet e miratuara parashikojnë dyfishimin e masës së pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Kjo masë hyn në fuqi me efekte financiare duke filluar nga 1 korriku 2026.

Një tjetër lehtësim i rëndësishëm është heqja e detyrimit për paraqitjen çdo vit të dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, për rastet kur afati i përfitimit është disa vjeçar. Kjo masë redukton ndjeshëm procedurat administrative dhe shmang kostot e panevojshme për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, duke filluar nga 1 shtatori 2026.

Kjo masë garanton trajtim të barabartë për ndihmësit personalë, duke njohur periudhën e shërbimit të tyre si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Njëkohësisht, ajo forcon mbështetjen për kujdesin në familje, duke u mundësuar personave me aftësi të kufizuara të jetojnë pranë njerëzve të tyre dhe duke reduktuar nevojën për institucionalizim.