Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, i cili synon të rrisë financimin e sportit, artit dhe kulturës përmes mbështetjes së biznesit. Lajmin e ka bërë të ditur ministri Blendi Gonxhja, sipas të cilit, ndryshimet parashikojnë deri në 2 miliardë lekë në vit për këta sektorë, përtej buxhetit të shtetit.

Sipas ministrit, projektligji parashikon që deri në 30% e tatimit mbi fitimin të mund të zbritet drejtpërdrejt për sponsorizimet, sipas dispozitave të reja.

Një tjetër ndryshim është krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve, së bashku me mekanizma kontrolli për të garantuar më shumë transparencë.

Gonxhja e cilësoi nismën si “një kapitull të ri për sportin, artin dhe kulturën shqiptare”, duke theksuar se synohet krijimi i një modeli të ri bashkëpunimi mes shtetit dhe biznesit, me më shumë mundësi financimi për talentet e reja.

Projektligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ende nuk është bërë ligj në fuqi.