Qeveria ka miratuar skemën kombëtare për mbështetjen e fermerëve. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj tha se do të mbështeten 8 kategori fermerësh, me synim që të arrihet në rreth 70 mijë përfitues.
“Regjistrimi me nipt fermeri është kusht. Sot janë 97 000 fermerë të regjistruar me nipt, nëse llogarisim 70 000 përfitues atëherë i bie që janë 77% e fermerëve të jenë përfitues nga skema kombëtare për bujqësinë. Në këto 11 vite kemi patur formalizim të bujqësisë. Në 2013 kemi patur 4 000 nipte fermerësh, sot kemi 97 000. Kjo skemë nuk nxit formalizimin, por prodhimin, pasi kjo skemë mbështet prodhimin”, tha Denaj.
Ministrja listoi kategoritë që do të përfitojnë ku risi e kësaj skeme do të jetë mbështetja edhe e sektorit të bimëve aromatike si dhe nuk do të ketë më një tavan për numrin maksimal të bagëtive që subvencionohet nga shteti.
“Mbështetja e bagëtive të imta me 1200 lekë për krerë për tufa mbi 100 krerë për fermë. Mbështetje për bletarinë në vlerën 1 mijë lekë për zgjua, ku ferma duhet të ketë të paktën 50 zgjoje. Mbështetje për perimet, luleshtrydhen, rrushin tavolinë dhe sera me një vlerë 200 mijë lekë për hektarë por jo më shumë se dy sezone. Kemi një produkt të ri, bimët mjekësore do të mbështetet 30 mijë lekë për hektarë, por jo më pak se 1 hektarë”, tha Denaj.
Edhe në këtë skemë është e parashikuar dhënia e naftës pa taksa për fermerët, me të njëjtat kritere si më parë, por ministrja sqaroi se si do të shpërndahet fondi.
“Nuk do të vijojë ndarja e naftës me karta, por me lekë në llogari, dhe për këtë jemi duke punuar që të kemi një mbështetje nga sektori bankar që të mundësojmë llogari me kosto të reduktuar për ata fermerë që janë përfitues të naftës”, tha Denaj.
Edhe fermerët si në bujqësi ashtu edhe në blegtori nëse nuk arrijnë kriterin e numrit të tufës që duhet të kenë për të përfituar, apo nëse nuk kanë tokë mbi 1 hektar mund të bashkohen dhe të përfitojnë nga skema kombëtare.
Aplikimet pritet të hapen më 27 Mars, pas miratimit të udhëzimit nga Ministria e Bujqësisë i cili specifikon në mënyrë konkrete kriteret e përfitimit për fermerët.