Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për tregtinë elektronike”, duke vendosur për herë të parë rregulla për ndalimin e gjeobllokimit të pajustifikuar dhe diskriminimit të konsumatorëve në blerjet online, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

“Objektivat kryesore që synohen të arrihen me këtë projektligj janë: forcimi i mbrojtjes së konsumatorëve dhe i përdoruesve fundorë në transaksionet elektronike dhe ndalimi i praktikave diskriminuese të pajustifikuara në aksesin në ndërfaqet online, në mallra, në shërbime dhe në pagesa”, thuhet në relacion.

Projektligji synon të garantojë që konsumatorët të mos trajtohen ndryshe për shkak të shtetësisë, vendbanimit apo vendit ku janë të vendosur.

“ Këto praktika cenojnë funksionimin normal të tregut, kufizojnë zgjedhjen e konsumatorëve, pengojnë transaksionet ndërkufitare dhe krijojnë pasiguri juridike për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Për këtë arsye, është e nevojshme që legjislacioni shqiptar të përmbajë dispozita të posaçme, të qarta dhe të zbatueshme, të cilat të ndalojnë trajtimin e ndryshëm kur ai nuk mbështetet në një justifikim objektiv ligjor” , vijon relacioni.

Sipas projektligjit, tregtarëve do t'u ndalohet të bllokojnë ose kufizojnë aksesin e klientëve në faqet e tyre online, apo t'i ridrejtojnë automatikisht në versione të tjera të faqes për shkak të shtetësisë ose vendbanimit, përveç rasteve kur klienti jep pëlqimin e tij ose kur kjo kërkohet nga ligji.

Ndryshimet janë pjesë e procesit të integrimit europian dhe do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Projektligji parashikon që disa prej dispozitave të këtij ligji do të shfuqizohen në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi ato do të zëvendësohen nga zbatimi i drejtpërdrejtë i legjislacionit të BE-së.

Kliko këtu për te parë dokumentin e plotë