Buxheti rishikohet për herë të 4! Rriten me 11.8 mld lekë shpenzimet, shtohen fondet për vaksinat dhe infrastrukturën rrugore

TIRANË-Mbi 11 miliardë lekë është shuma e shtuar në buxhetin e shtetit për zërin e shpenzimeve. Brenda 6 muajsh për 2021 ky është rishikimi i 4 i buxhetit, duke ndryshuar thuajse të gjitha pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet.

Në aktin e katërt normativ të miratuar në 22 qershor janë rritur shpenzimet dhe deficiti buxhetor, dhe mbeten pandryshuar pritshmëritë për të ardhurat edhe pse të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për rimëkëmbje ekonomike.

Konkretisht shpenzimet për vitin 2021 do të jenë mbi 610 miliardë lekë, nga 598.2 miliardë lekë që ishte parashikimi në muajin prill të këtij viti. Pra në këtë rishikim të fundit rriten shpenzimet me 11.848 miliardë lekë, aq sa edhe deficiti buxhetor.

Nga kjo shumë, më shumë se 1 miliardë lekë i shtohen të ardhurave të pushtetit vendor, ku 900 milionë lekë do i jepen Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Nga ana tjetër është ulur me 1 miliardë lekë fondi për rimbursimin e medikamenteve që përdoren për kurimin e COVID-19, nga 1.2 miliardë që ishte ka mbetur 200 milionë lekë. ndërkohë fondi prej 1 miliardë lekësh që hiqet nga rimbursimi do të shkoj në fondin rezervë dhe do të përdoret për koston e vaksinave. Po ashtu është rritur me 2 miliardë lekë fondi rezervë i cili tashmë është 8 miliardë lekë.

Ndërkohë bazuar në tabelat që shoqërojnë aktin normativ, shpenzimet e institucioneve rriten me 9.2 miliardë lekë, krahasuar me rishikimin që u bë në prill, dhe pjesën më të madhe e merr ministria e Infrastrukturës të cilës i shtohet një fond prej 6.9 miliardë lekësh, që shkojnë për infrastrukturën rrugore dhe për ujësjellës kanalizime.

Fondet do të shkojnë për avancimin e punimeve në unazën e Tiranës, për baypass-in e Vlorës si dhe për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë, thuhet në Relacion. Rritja e dytë më e madhe i është bërë buxhetit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me plus 3.2 miliardë lekë, ndërsa janë ulur shpenzimet për shumicën e institucioneve të tjera.

TOTALI I SHPENZIMEVE

Ishin                 598.2 mld lekë

Bëhen                 610 mld lekë

Diferenca      +11.848 mld lekë

BUXHETI VENDOR

Është            57,840 mld lekë

Ishte             56,826 mld lekë

Diferenca     +1,014 mld lekë

RIMBURSIMI I ILAÇEVE PËR COVID-19

Ishte                1.2 mld lekë

Bëhet              200 mln lekë

Diferenca          -1 mld lekë

FONDI REZERVË

Ishte         6 mld lekë

Bëhet        8 mld lekë

Rritja      +2 mld lekë

MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS

Ishte               49,875 mld lekë

Bëhet             56,852 mld lekë

Diferenca      +6,977 mld lekë

FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT

Ishte                  14,529 mld lekë

Bëhet                17,729 mld lekë

Diferenca         +3,200 mld lekë

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë