Bizneset dhe hotelet që marrin me qira hapësira në plazhe do t’i lidhin kontratat me shtetin për sezonin turistik të këtij viti, brenda muajit qershor. Ndryshimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të shtesave në rregulloren për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit.

Sipas vendimit, përjashtimisht për vitin 2026, kontratat e qirasë për përdorimin e hapësirave të plazhit do të lidhen brenda muajit qershor. Qeveria ka vendosur gjithashtu rregulla të reja edhe për kontratat ekzistuese.

Në rast se ndryshojnë kapacitetet e strukturave akomoduese, zonat e plazhit apo zhvillimet përgjatë vijës bregdetare, kontratat do të mund të ndryshohen vetëm me dakordësinë e të dyja palëve. VKM-ja thotë se çdo ndryshim do të duhet të formalizohet përmes ndryshimeve të dakordësuara dhe nënshkruara nga palët.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ministria përgjegjëse për turizmin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

                                                                                            V E N D I M

PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.

b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

 “3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e  ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.