Qeveria turke premtoi sot një plan të ri veprimi për përmirësimin e sigurisë së punëtorëve të sektorit të ndërtimit, pas një aksidenti me ashensor që shkaktoi vdekjen e të paktën 10 personave në kantierin e një kulle në Stamboll.

"Është e qartë se siguria në vendin e punës është bërë një çështje vendimtare. Ne do të përgatisim dhe publikojmë një plan veprimi", deklaroi zëvendëskryeministri, Bulent Arinç për shtypin në përfundim të Këshillit të ministrave.

"Mekanizmat e kontrollit dhe masat e sigurisë do të zbatohen tashmë në mënyrë rigoroze", shtoi zëdhënësi i qeverisë duke shtuar se kryeministri, Ahmet Davutoglu kishte urdhëruar krijimin e një komisioni hetimi administrativ për shkaqet e kësaj drame.

Të paktën 10 punëtorë humbën jetën, ndërsa një person tjetër është plagosur, në një shesh ndërtimi në qendër të Stambollit, kur nga kati i 32-të i godinës në ndërtim ka rënë ashensori./ATSH/