4 mijë çifte të reja do të kenë mundësi që brenda vitit 2027-të blejnë apartmentet e tyre me interesa që do të subvencionohen nga shteti.

Qeveria prezantoi një program të ri kombëtar për strehimin social, ku fokusi do të jenë familjet e reja. 2 mijë kredi do të jepen me 0% interes për vlera deri në 10 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera do jepen nga shteti me 3% interes për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.

“Kka nevojë për një politikë e cila i ndikon çmimet e banesave, me qëllim që të mos kujdesemi vetëm për qytetarët që janë të shtresave në nevojë, por të kujdesemi edhe për çiftet e reja, të kujdesemi për mjekun, mësuesin apo punonjësin e policisë”, tha Ibrahimaj.

Tavani i të ardhurave për të përfituar, për çiftet e reja rritet në 280 mijë lekë neto, ndërsa programi parashikon për shkak të rritjes së çmimeve edhe rritjen e kredisë nga 12.5 milionë lekë në 17-20 milionë lekë.

Për 3 mijë familje të reja, qeveria do të paguajë gjysmën e qirasë.

Një tjetër risi e këtij programi, i cili është ende një draft që pritet të hidhet për konsultim publik, është krijimi i Fondit Kombëtar të Strehimit që do të administrojë edhe kuotën prej 3% që paguhet nga ndërtuesit për strehim social.

“Nëse sot ne kemi akumuluar një fond të konsiderueshëm nga 3%-shi që akumulohet nga zhvilluesit, jo vetëm në para, por edhe në sipërfaqe, ky 3% do të mblidhet në një fond kombëtar për strehimin social të përballueshëm, i cili do t’i bashkohet buxheti i shtetit për strehimin. Fondit që alokohet për strehimin do t’i bashkohet gjithashtu administrimi i stokut të banesave”, tha Ibrahimaj.

Ky fond pritet të ndahet sipas parimit, 30% social, 40 i përballueshëm dhe 30% banesa në shitje për të rigjeneruar para.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:52
'Bashkisë së Tiranës iu pre koka', Rama: Nuk ka precedent në Europë! Familjet e tërmetit po paguajnë çmimin

 

Gjatë fjalës së tij lidhur me programin kombëtar të strehimit, Rama foli edhe për situatën ku është Bashkia e Tiranës me kryebashkiakun Erion Veliaj në burg, duke e cilësuar si një rast unik që nuk gjendet në vendet e BE-së. Sipas tij, drejtimi i një kryeqyteti pa kokë, 'ka sjellë shumë viktima'

"Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsyet që dihen dhe për mos arsyet që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj koke prerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Europës që hyjnë në Këshillin e Europës, s'ka asnjë rast. Këshilli i Europës ka dy raste, më saktë Gjykata e Strasburgut dy, të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake diku në Hungari dhe të një kryetari bashkie në Turqi. Referenca demokratike dhe është rasti i Shqipërisë që është rast që është shumë më i rëndë dhe shumë më i mbrapsht sesa dy rastet e tjera. Kështu që heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t'iu jepet çelësi sepse janë viktima të tërmetit. Mos flas për viktimat e tjera. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar" tha Rama

Ora 14:25
Programi kombëtar i strehimit, Rama: Do japim 4000 kredi të buta në 2027 për çiftet e reja për blerje banese

 

Kryeministri Edi Rama prezantoi politikat e reja të strehimit për vitin 2027, duke bërë të ditur se qeveria synon të mbështesë 4 mijë çifte të reja për blerjen e një banese.

Kryeministri tha se programi parashikon 2 mijë kredi me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, si dhe 2 mijë kredi me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.

Rama njoftoi gjithashtu se tavani i të ardhurave për përfituesit do të rritet në 280 mijë lekë neto në muaj, ndërsa kredia maksimale që mund të përfitohet do të rritet nga 12.5 milionë lekë në 17-20 milionë lekë. 

Ora 14:02
Rama prezanton 6 piketat e reja të Programit Kombëtar të Strehimit: Banesa sociale edhe nga objektet e konfiskuara, mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe shtresat në nevojë

Qeveria prezantoi sot Programin e ri Kombëtar të Strehimit, që sipas kryeministrit Edi Rama nuk është thjesht një program financiar, por mishërimi i një reforme të thellë strukturore për strehimin në Shqipëri.

"Është një reformë për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën e marrjes së një shtëpie. Ky nuk është një problem vetëm shqiptar, por një problem i madh europian", tha Rama.

Sipas tij, reforma mbështetet në gjashtë programe të reja strehimi. Programi i parë është ai i banesave sociale me qira, i cili do të funksionojë ndryshe nga modeli aktual. Rama tha se banesat nuk do të sigurohen vetëm përmes ndërtimeve të reja, por edhe me blerje në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore ose të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetin publik-privat.

"Dhënia e banesave sociale me qera do të jetë një program që do të bëhet më kompleks jo vetëm ‘prit të ndërtohet e pastaj të kësh shansin të marrësh një banesë’ ku nuk dihet si përfundon seleksioni. Këto banesa do të parashikojnë ndërtim  të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara..kemi konfiskuar jo pak dhe do të konfiskojmë ccdo objekt që do të shkelë rregullat e lejes së ndërtimit. Patjetër dhe bonusin e qerasë dhe partneritetin publik privat, pra do të përdorim të gjitha instrumentat për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qera" tha Rama

Programi i dytë parashikon banesa me kosto të ulët përmes subvencionimit nga shteti të kredive, ndërsa programi i tretë lidhet me përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, investime në zonat informale dhe përshtatjen e banesave për t'i kthyer në banesa sociale.

"Nuk duam të ndërtojmë blloqe banimi vetëm për njerëz të varfër, por lagje dinjitoze për të gjitha shtresat e shoqërisë. Ata që janë më në nevojë do të kenë mbështetje më të madhe, ndërsa ata që kanë mundësi do të blejnë banesa. Cilësia është e rëndësishme për të gjithë", tha kryeministri.

Ai shtoi se kjo reformë do të shoqërohet me një organizim të ri institucional, ku Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i vetëm.

Sipas Ramës, programi do të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa po shqyrtohen edhe zona të tjera në bashki të ndryshme, të cilat janë ftuar të paraqesin propozimet e tyre.

Programi i pestë parashikon krijimin e banesave të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet dhe zjarret

"Programi tjetër është ai i banesave të përkohshme, në kuptimin e të pasurit në dispozicion të infrastrukturës së gatshme për njeëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, zjarret,  etj. Ne do vazhdojmë të forcojmë kapacitete logjistike për tu përballur me fatkeqësitë në kohë reale por duhet të kemi një sistem mikpritjeje për një periudhë të përkohshme për njerëz të prekur nga fatkeqësitë" tha Rama duke shpjeguar edhe programin e gjashtë do të fokusohet në ndërtimin e banesave të përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara.

Ora 13:41
Qeveria shpall fituesit e programit për përmirësimin e banesave, Ibrahimaj: 700 milionë lekë për 663 familje në nevojë

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se sot do të shpallen fituesit e programit për përmirësimin e kushteve të banesave.

Sipas saj, në program kanë aplikuar 33 bashki, ndërsa 26 prej tyre do të shpallen fituese. Qeveria do të alokojë 700 milionë lekë për përmirësimin e kushteve të banesave për 663 familje në të gjithë vendin, të cilat i përkasin kategorive në nevojë, sipas programit të strehimit të zbatuar deri tani.

Ibrahimaj tha gjithashtu se, krahasuar me vitin 2018, situata ka ndryshuar dhe kjo kërkon hartimin e një politike të re për strehimin.

"Nga viti 2018, situata ka ndryshuar dhe realiteti është tjetër e na bën të mendojmë për një politikë të re për strehimin", tha ministrja.