Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të aplikojnë për 300 kredi me 0% interes për blerjen e një banese. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila njoftoi se thirrja hapet më 27 gusht dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 shtator.

Sipas saj, programi parashikon 300 kredi të reja me interes zero, ndërsa financimi do të bëhet sipas çmimit të referencës. Sipërfaqja e banesës që financohet do të përcaktohet në bazë të certifikatës familjare.

Kuotat janë ndarë mes pesë institucioneve përfituese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të kenë nga 70 kuota secila, ndërsa 20 kuota janë rezervuar për Policinë e Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Për të përfituar nga skema, aplikantët duhet të jenë të punësuar në administratën publike, të mos kenë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të kenë një banesë nën normat e strehimit. Një tjetër kusht është që të mos zotërojnë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredinë e lehtësuar dhe të mos kenë përfituar më parë nga programe të tjera të strehimit social.

Aplikimet do të kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa ministrja Ibrahimaj u ka bërë thirrje punonjësve që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit.