Përmes një programi kombëtar, qeveria synon të përfshirë në të gjitha shkollat e vendit, aktivitete edukuese dhe arguese pas mësimit.

“Art dhe zeje, toka në shkolla, shkolla qendër komunitare dhe të gjithë këto nismat, që sot e tutje, me ligj, me zakon e me kanun, si të doni, do t'i fusim në të njëjtën ombrellë, programin pas shkolle. Në këtë mënyrë, çdo nxënës do duhet të ketë akses në mundësi të barabarta, pavarësisht interesave apo sfondit shoqërorë që i karakterizon.”, tha ministrja e Arsimit

Në këto programe, për të cilat do të bëhen së shpejti edhe ndryshimet ligjore, do të përfshihen edhe mësuesit e dalë në pension.

“Faza e ardhshme përfshin rregullime të mëtejshme, duke përfshirë dispozita ligjore dhe një vendim të Këshillit të Ministrave për të trajtuar aspektet financiare, si pagesa për këto orë shtesë. Kjo do ta hapë sistemin jo vetëm për mësuesit aktualë, por edhe për mësues të dalë në pension, ata në pritje të punësimit dhe ekspertë në art, muzikë, teatër dhe zanate, të cilët janë të shumtë në qytetet shqiptare dhe të gatshëm të kontribuojnë.”, tha ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një panel për “Politikat Kombëtare për Edukimin Pas Shkollor dhe Zhvillimin Gjithëpërfshirës”

Shqipëria ka 1498 shkolla parauniversitare dhe rreth 345,000 nxënës nga klasa e parë deri në maturë.

Ndërkohë, në mbledhjen e këshillit të minsitrave këtë të enjte, qeveria miratoi edhe disa ndryshime në fushën e kërkimit shkencor, duke i hapur rrugë edhe agjencive të tjera publike të hapin institute kërkimore.

“VKM-ja tjetër është ajo që përkufizon kategorinë e pagave dhe shpërblimeve sipas kategorisë së kërkuesit shkencor. Vendimi i fundit që u miratua sot ka të bëjë me plotësimin e një standardi që ka të bëjë me menaxhimin e bazës së të dhënave të kërkimit shkencor dhe provimeve kombëtare e ndërkombëtare.”, tha ministrja Kumbaro në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë

Një tjetër vendim ishte transformimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një agjenci autonome, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve në sistemin arsimor.