TIRANE- 502 fëmijë romë prej vitesh rezultojnë të zhdukur pa asnjë adresë dhe qeveria shqiptare dyshon se këta mund të jenë përdorur për qëllime trafikimi në Greqi ose vende të tjera. Fëmijët romë nuk figurojnë të regjistruar nga Interpoli si persona të zhdukur. Qeveria shqiptare pritet të kërkojë informacion të detajuar pranë autoriteteve greke.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga zv ministri i Brendshëm Avenir Peka raportoi këtë javë në Komitetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, në Gjenevë, duke e cilësuar rastin e 502 fëmijëve të zhdukur romë si shumë të rëndësishëm. 

“Autoritetet nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këta fëmijë, por do të bëjmë të pamundurën për të marrë informacionin e nevojshëm nga autoritetet greke” janë shprehur zyrtarët tanë.

PROCESI PËR 21 JANARIN
Delegacioni shqiptar është përgjigjur në Gjenevë edhe për ecurinë e hetimeve të 21 Janarit, ku sipas tyre familjet e 4 viktimave mund të kërkojnë dëmshpërblim sipas ligjit shqiptar. “Procedura penale që lidhen me 21 janarin është në vazhdim” janë përgjigjur zyrtarët tanë para anëtarëve të Komisionit.

RASTET E TRAFIKIMIT
Autoritetet zyrtare raportuan gjithashtu se Prokuroria shqiptare ka trajtuar 28 raste trafikimi të personave në vitin 2011, ku shtatë raste ishin të reja. Dhe të tjerat të regjistruar në vitin 2009 dhe në vitin 2010. Gjatë vitit 2011, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda provoi 13 raste të trafikimit të personave,

RAPORTI I DIK MARTIT
Delegacioni shqiptar e konsideroi në Gjenevë raportin e zviceranit Dik Marti dhe pretendimet e tij si “spekulime te pastra me konkluzione të pabazuara”. “Edhe pse Statusi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë nuk shtrihet deri në Shqipëri qeveria shqiptare ka afruar bashkëpunim të plotë për grupin hetimor të EULEX. Këtë bashkëpunim ja kemi afruar dhe Dik Martit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në 2008” thanë zyrtarët shqiptarë. Një ekspert i Komitetit të Gjenevës përgëzoi Shqipërinë për kalimin e projektligjit për hetimet e EULEX si mjaft i rëndësishëm për të zbardhur akuzat e trafikut të organeve.
(ns/shqiptarja.com)