TIRANE - Kuvendi miratoi dje me 91 vota pro ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave. Ligji që ngjalli debate të forta në seancë plenare do t’i krijojë mundësinë ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme zgjatjen e afateve me 6 muaj për trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie nga data 30 prill 2015 më 30 tetor 2015. Në seancën e djeshme, kryeministri Rama premtoi se brenda 6 muajve qeveria do të sjellë një ligj të ri kompesimin e pronave.

“Ndër vite ligji ka qenë objekt i 14 ndërhyrjeve e ndryshimeve ligjore. Ligjit të vitit 2004 nuk i ka mbetur as nam e as nishan dhe ndryshimet e bëra kanë sjellë më shumë ilegalitet. Nuk ka më arsye që ky ligj të ekzistojë, ndaj brenda 6 muajve ne do sjellim ligjin e ri që zgjidh këtë problematikë, që na i lanë peshqesh këta që ikën me turp më 23 qershor”, u shpreh Rama. Sipas kryeminsitrit administrate e re ka bërë një sistem të ri nëpërmjet të cilit mund të identifikohen më lehtë dosjt ndryshe nga e shkuara në të cilën kanë vepruar interesat e ngushta të individëve të caktuar.

“Dosjet janë sistemuar dhe presin vendimmarrjen administrative pas një inventarizimi të kryer në atë magazinë, që ishte ndër shëmbëllytrat e turpshme të shtetit shqiptar, shtet i bërë copë-copë. Sot nuk ka më dosje të zgjedhura për t'u shqyrtuar sipas kërkesës së klientit të radhës. Të gjitha dosjet kanë dalë për shqyrtim dhe vijon puna administrative”, deklaroi kryeministri.

Reagimi
Ndërkohë deputeti demokrat Oerd Bylykbashi u shpreh se qeveria ka bllokuar kompensimin e pronave tek ish-pronarët dhe ndërhyrja në këtë ligj si dhe rishikimi i tij kaq i shpeshtë është i paligjshëm. “Gjatë këtij 2-vjeçari të qeverisjes tuaj ka ndaluar plotësisht procesi i kompensimit të pronave dhe fatura financiare që do t’i vijë Shqipërise është duke u rritur dhe këtë do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre”,tha Bylykbashi.

Lidhur me këtë ligj kanë debatuar mes tyre edhe deputeti socialist Bashkim Fino dhe kreu i Republikanëve Fatmir Mediu. Fino në fjalën e tij veç të tjerash ka theksuar se qeveria aktuale në vitin 2013 ka trashëguar dosje të panumërta, rreth 9300 dosje të hapura pa një zgjidhje. Ndërkohë sipas tij, ligji ka pësuar ndryshime edhe gjatë qeverisjes së PD duke u shprehur në replikë ndaj Bylykbashit se qeveria aktuale duhet t’i kthejë pronën e tij në Durrës dhe se interesi i tij dhe i PD nuk shkon më larg vetes së tyre. Rezerva për këtë ndryshim shprehu edhe ish-kryeministri Berisha.

“Të ndryshosh pas dy vjetësh nenin për të zgjatur afatin, ndërkohë që nuk u ke dhënë asnjë kacidhe ish-pronarëve ky është dështimi total i radhës. Tani shpërbleni njëri-tjetrin me to”, u shpreh Berisha.


*Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com 8 Maj 2015

Redaksia Online 
d.b/Shqiptarja.com