Qeveria strategji kundër drogës
Peleshi: Do financojmë fshatrat

Qeveria strategji kundër drogës<br />Peleshi: Do financojmë fshatrat
Investime infrastrukturore dhe mundësi të reja punësimi të fokusuara në zonat rurale me varfëri të lartë. Kjo është strategjia më e re e qeverisë për të parandaluar kultivimin e mëtejshëm të kanabisit dhe zhvendosjen e banorëve të zonave të varfra nga narkotika tek bujqësia.
 
Qeveria ka përgatitur një dokument strategjik kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe ngriti një grup pune për konkretizimin e iniciativës. Zëvendës kryeministri, Niko Peleshi u caktua në rolin e koordinatorit politik, ndërsa këshilltari i kryeministrit për sigurinë, Sandër Lleshi do të drejtojë grupin teknik.
 
“Kemi arritur rezultate shumë të mira, të njohura dhe inkurajuara nga partnerët ndërkombëtarë në luftën për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike. Lazarati famëkeq, ishte suksesi i parë madhor, por ishte vetëm pjesa e dukshme e trashëguar.

Shqipëria ishte e prekur nga kultivimi i kanabisit edhe në rajone të tjera. Falë angazhimit serioz të institucioneve ligjzbatuese, policisë së shtetit, shërbimeve inteligjente dhe bashkëpunimit me partneret ndërkombëtarë, suksesi i arritur në Lazarat filloi të shtrihet në të gjithë vendin. Qëllimi i kësaj iniciative është kalimi në një fazë vendimtare të reduktimit drejt eliminimit të kultivimit të bimëve narkotike.

Synojmë që në pranverën e ardhshme kultivimi i bimëve narkotike të reduktohet në një rekord historik. Rruga e ndjekur është një qasje integrale: ligj dhe mundësi më të mira jetese për zonat e prekura.
 
Forcimi i zbatimit të ligjit me tolerancë zero, nuk është i mjaftueshëm për të eliminuar përfundimisht këtë veprimtari të paligjshme. Ai lufton pasojën, por jo plotësisht shkakun. Jo rastësisht, kultivimi ndodh  në zona më pak të zhvilluara, në toka të papërdorura, të pa ujitura, pa akses.  Pranë fshatrave të varfra, me shërbime të munguara dhe jetesë të pa përballueshme.

Qasja jonë e re synon ndërtimin e një paketë masash që adreson jo vetëm pasojën, por edhe shkakun, pra mundësimin e rrugëve të reja ekonomike për banorët e margjinalizuar nga varfëria të fshatrave të largët. Do të vëmë në dispozicion programet tona përmes: Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Çështjeve Sociale, Mjedisit, Shëndetësisë, etj. Kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve tanë. Nga programet e mbështetjes mund të shkëputim një paketë në funksion të kësaj qasjeje integrale”,-tha Peleshi.
 
Këto deklarata u bënë në përfundim të një takimi me trupën diplomatike në vend për këtë dokument strategjik.
 
 
 d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim