Qeveria amerikane është pjesërisht e mbyllur prej 17 ditësh pa asnjë shenjë se mund të hapet së shpejti. Presidenti Donald Trump kërkon me vendosmëri fonde për ndërtimin e mureve përgjatë kufirit me Meksikën ndërsa ligjvënësit demokratë vazhdojnë të mos e përfillin kërkesën e tij. Ata po përgatisin projektligje për financimin e buxheteve të secilës agjenci qeveritare veç e veç.
Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shumë operacione të qeverisë federale vazhdojnë të jenë të mbyllura ose punojnë me personel të reduktuar. Në Uashington, nuk duket asnjë shenjë se do të ketë një marrëveshje për t'i dhënë fund mbylljes. As Presidenti Trump dhe as demokratët nuk lëshojnë pe.
"Nëse nuk gjejmë një zgjidhje, kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Në këtë pikë nuk do të ketë asnjë lëshim,” thotë Presidenti Trump.
"Nuk do të bëjmë mur. Kushdo që ka ndonjë dyshim për këtë, ne nuk do të bëjmë mur,” thotë Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Presidenti Trump këmbëngul se mbyllja do të vazhdojë derisa demokratët të ndryshojnë mendim:
"Ne duhet të ndërtojmë një mur ose një pengesë. Pengesa ose muri mund të jenë prej çeliku në vend të betonit nëse kjo ndihmon... Është për sigurinë e vendit tonë. Bëhet fjalë për ndalimin e trafikantëve, të drogave. Pra, duhet të kemi një mur. Nuk kemi zgjedhje tjetër".
Mesazhi i demokratëve ndaj Presidentit është: mos prisni gjë nga ne.
"Muri midis vendeve është diçka e pamoralshme. Është një mënyrë e vjetër e të menduarit. Nuk është as efiçente si shpenzim.”
Javën e kaluar, demokratët përdorën shumicën e tyre të re në Dhomën e Përfaqësuesve për të kaluar një projekt-ligj shpenzimesh që parashikonte rihapjen e qeverisë dhe financimin përkohësisht të sigurisë së kufirit, por jo një mur. Republikanët, të cilët kanë shumicën në Senat, refuzuan të votonin. Takimet e përsëritura midis udhëheqësve të kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë nuk e kanë zhbllokuar gjendjen.
"Ne duam të kthehemi në punë. Kemi fatura për të paguar", thotë Marilyn Carrothers, punonjëse federale.
Qindra mijëra punonjës të qeverisë po qëndrojnë në shtëpi ose punojnë pa pagesë. Disa kanë filluar të protestojnë.
"Deri tani kemi pasur paratë e kursyera, por nëse kjo vazhdon, kursimet do të mbarojnë”, thotë Marilyn Carrothers.
Presidenti Trump thotë se punonjësit federalë do t’i përshtaten situatës:
"Shumë nga ata njerëz që nuk po marrin pagë pajtohen 100 për qind me atë që po bëj", tha ai.
Anketat tregojnë se amerikanë fajësojnë më tepër presidentin sesa demokratët për mbylljen e qeverisë. Shumica e tyre thonë se nuk e mbështesin financimin e murit kufitar.
Ndërkaq, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se po përgatisin projektligje për financimin e buxheteve të secilës agjenci qeveritare veç e veç. Përparësi kryesore janë Departamenti i Thesarit dhe Agjencia e Mbledhjes së Taksave./ VOA