Qeverisja vendore, përfaqësues të
OSBE-së dhe KiE-s takim në Tiranë

Qeverisja vendore, përfaqësues të<br />OSBE-së dhe KiE-s takim në Tiranë
TIRANË - Përfaqësues të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës u takuan më 12 dhe 13 maj 2014 në Tiranë për të bashkërenduar punën në çështjet e qeverisjes vendore në Evropën Juglindore. 
 
Disa nga temat e diskutuara ishin praktikat e mira dhe ndarja e përvojës në mbështetjen e qeverisjes vendore; pjesëmarrja politike e grave në nivel vendor, Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore; si dhe zhvillimet e fundit në acquis të Këshillit të Evropës për qeverisjen vendore. Gjithashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen ide se si të rrisin bashkëpunimin dhe të përmirësojnë mekanizmat për identifikimin e projekteve të përbashkëta dhe rajonale.
 
Duke u uruar pjesëmarrësve mirëseardhjen në Tiranë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, tha se “OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës luajnë role të rëndësishme e plotësuese në forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirive themelore, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.
 
“Bashkëpunimi rajonal, jo vetëm mes organizatave tona, por mes vendeve të rajonit, duhet të jetë parësor”,- tha Raunig duke shtuar se: “Bashkëpunimi më i ngushtë rajonal do të mundësonte shkëmbimin e pikëpamjeve, identifikimin e nevojave, boshllëqeve dhe dobësive në rajon dhe do të ndihmonte në përcaktimin e mënyrave se si OSBE-ja, përmes ODIHR-it dhe misioneve në terren, do të mund të punonte së bashku me partnerë kyç si Këshilli i Evropës për t’i ndihmuar më mirë vendet e rajonit”.
 
Daniel Popescu, drejtues i Qendrës së Ekspertizës për Reformën e Qeverisjes Vendore, i cili kryesoi delegacionin e Këshillit të Evropës në takim, tha: “Forcimi i cilësisë së qeverisjes në të gjitha nivelet është ndër përparësitë kryesore të të dyja organizatave. Shumica e vendeve evropiane kanë ndërmarrë ose po mendojnë të ndërmarrin reforma në qeverisjen vendore. Reforma të tilla zakonisht synojnë përmirësimin e strukturës territoriale vendore dhe rajonale, pjesëmarrjen e qytetarëve, etikën publike dhe efikasitetin e shërbimeve publike. Ka shumë interes në këto fusha në Evropë, shumë eksperimente dhe risi, një burim dijesh ku mund të kontribuosh e të përfitosh”.
 
OSBE-ja u përfaqësua nga Marcin Walecki, shef i Njësisë së Qeverisjes Demokratike dhe të Barazisë Gjinore në Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), si dhe nga përfaqësues të të gjitha misioneve në Evropën juglindore.
 
Në Shqipëri, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës po punojnë nga afër për të mbështetur qeverinë në fusha si reforma administrativo-territoriale dhe ajo e decentralizimit. Gjithashtu, dy organizatat kanë zhvilluar, së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, idenë e një platformë trajnimi të vijueshme për komisionerët zgjedhorë dhe aktorë të tjerë zgjedhorë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK, 21 masa sigurie! Detyrim paraqitje për 2 gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno

Operacioni i SPAK, 21 masa sigurie! Detyrim paraqitje për 2 gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno