Herën e fundit që u pa në publik, ai po marshonte në rrugët e Teheranit gjatë Ditës së Quds-it, një manifestim në mbështetje të çështjes palestineze. Ecente me krenari mes njerëzve që e mbështesnin me entuziazëm, ndërsa vetëm pak metra më larg binin bomba. Pasi u kthye në shtëpi — ose ndoshta në një bunker — ai iu drejtua Donald Trump në rrjetin X: «Udhëheqësit tanë janë mes popullit, ndërsa tuajt fshihen në ishullin e Epstein». Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi vdekjen e Ali Larijani. Republika Islamike e pranoi këtë vetëm në mbrëmje.

Në gusht, Larijani ishte emëruar në krye të Këshillit Suprem për Sigurinë Kombëtare, duke mbikëqyrur mbrojtjen, shërbimet e inteligjencës dhe politikën e jashtme. Prej rreth njëzet ditësh ai ishte bërë figura që drejtonte realisht regjimin, pas vdekjes së Ali Khamenei-t, duke zbatuar linjën e luftës që kishte lënë Udhëheqësi Suprem. Si lider de facto, me syzet e tij të njohura Ray-Ban në formë pike, Larijani kërcënonte armiqtë, vazhdonte strategjinë e tensionit të hartuar nga Khamenei dhe menaxhonte prapaskenat e konfliktit. Ai konsiderohej i fortë dhe karizmatik: sipas një burimi, «të gjithë i drejtoheshin atij për vendime». Ndikimi i tij ishte aq i madh sa shpesh errësonte edhe figura të tjera të regjimit, si presidentin Masoud Pezeshkian.

Sipas analistëve, eliminimi i tij është një goditje edhe më e rëndë për regjimin iranian sesa vrasja e Ali Khamenei, madje edhe më destabilizuese sesa mungesa e Udhëheqësit të ri Suprem, Mojtaba Khamenei. Eksperti iranian Vali Nasr shkruan se pasuesi i Larijanit pritet të emërohet nga Gardat Revolucionare. Sipas tij, çdo vrasje e tillë nga SHBA dhe Izraeli rrit më tej radikalizimin e udhëheqjes iraniane.

Paradoksalisht, vrasja e tij mund ta bëjë më të vështirë arritjen e paqes. Sipas New York Times, Larijani ishte një figurë që shpesh shërbente si urë lidhëse mes politikanëve më të moderuar dhe krahëve ushtarakë më të ashpër. Edhe pse vetë ishte një fundamentalist i bindur, ai njihej si pragmatik dhe i aftë për negociata të zgjuara. Këtë aftësi e kishte zhvilluar gjatë një karriere të gjatë në strukturat e regjimit, ku kishte mbajtur poste shumë të rëndësishme: kryetar i Parlamentit, ministër i Kulturës dhe Orientimit Islamik, drejtues i televizionit shtetëror dhe oficer i Gardave Revolucionare.

Ai nuk mund të bëhej ajatollah, sepse nuk ishte klerik, por konsiderohej si njeriu i zgjedhur për të udhëhequr politikisht vendin. Ali Khamenei kishte shumë besim tek ai. Në janar i kishte besuar edhe menaxhimin e shtypjes së protestave në Iran, një operacion që përfundoi me mijëra viktima. Gazetarja amerikane Christiane Amanpour shkruan se deri në vitin 2025 ai shihej si një figurë e pranueshme edhe për SHBA-në dhe Izraelin. Khamenei e vlerësonte gjithashtu për origjinën e tij, sepse vinte nga një nga familjet më me ndikim klerikale të Iranit — shpesh e krahasuar me një lloj “familjeje Kennedy” iraniane.

Me kalimin e viteve, Larijani u shkëput nga profili thjesht ushtarak dhe u shndërrua në një figurë të rëndësishme politike. Ai kishte marrë pjesë në negociata me Kinën, Rusinë dhe në bisedimet për programin bërthamor iranian.

Larijani ishte i martuar me Farideh Motahari, vajza e një bashkëpunëtori të ngushtë të Ajatollah Khomeinit, dhe kishte katër fëmijë. Edhe pse ishte një mbështetës i vendosur i Republikës Islamike, ai kishte një interes të madh për filozofinë, përfshirë edhe atë perëndimore. Madje kishte botuar tre libra mbi filozofin Immanuel Kant. /CorrieredellaSera