Jo vetëm çmimet e shitjeve, por edhe qiratë po shtrenjtohen me ritëm të shpejtë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e tretë të vitit çmimet e qirave u rritën me 5.8% në raport me vitin e kaluar.

Po sipas bankës inflacioni i qirave në periudhën e verës ishte 2.5 herë më i lartë se mesatarja e periudhës qershor 2021- qershor 2025, duke shënuar vlerat më të larta historike.

Ndikim në këtë shtrenjtim sipas ekspertëve të tregut po jep turizmi, i cili ka shtuar  kërkesën për apartamente me qira, sidomos në verë, ku rezervimet në platformat online janë në shifra të larta.

Me ritëm edhe më të shpejtë se qiratë, këtë vit janë rritur edhe çmimet e banesave për shitje. Vetëm në gjashtëmujorin e parë çmimet u rritën me 41.7%, duke arritur në shifrën më të lartë prej vitit 2020, - thuhet në vrojtimin e bankës.

Por kjo valë nuk pritet të ndalet. 42% e subjekteve të pyetura nga Banka e Shqipërisë kanë pohuar se çmimet do të rriten, 54% thonë se do të jenë të qëndrueshme dhe vetëm 4% thonë se çmimet do të bien.

Për shkak të çmimeve të larta, koha e shitjes së një prone është rritur në raport me vitet e kaluara. Mesatarisht, - thotë banka - në rang kombëtar duhen 11.6 muaj për të shitur një pronë, nga 9.3 muaj që ishte më parë.

Më lehtë shitet një pasuri në bregdet, për mesatarisht 8.7 muaj, nga 10 muaj që ishte në gjashtëmujorin e fundit vjet. Ndikim kryesor për uljen e kohës nsë shitjes, ka dhënë kërkesa në rritje e të huajve për prona. Në gjysmën e parë të vitit rreth 15% të banesave të shitura u blenë nga të huajt.

Ndërsa në Tiranë është rritur ndjeshëm koha e shitjes së pronës, nga 7.1 muaj në 11.1 muaj. Më e vështirë për të shitur një pronë është në periferi, thuhet në vrojtim, ku sqarohet se duhen minimalisht 12.8 muaj.

Burimi kryesor i financimit të blerjes së banesës mbetet kredia. Rreth 58% e pronave të shitura prej agjentëve u blenë me hua bankare, ku në pjesën dërrmuese kredia mbulonte 60% të vlerës.

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qytetarët morën 362 milionë euro kredi për blerje banese. Deri në fund të muajit tetor vlera e kredisë për blerje shtëpie arriti në 547 milionë euro, nga 428 milionë euro që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe pse Banka e Shqipërisë e ka kufizuar kredinë për këtë qëllim me disa tavane në varësi të monedhës në të cilën kërkohet huaja, përsëri fluksi i kredisë për blerje banese është shumë më i lartë se vjet.