Qitja, sporti i harruar i emrave që bënë historinë e vendit (VIDEO)

Largimi nga jeta pak muaj më parë i rekordmenes në qitje, Afërdita Tusha, flamurmbajtëses së parë shqiptare që në Olimpiadën “Mynih 1972” ,  risolli edhe një herë në vëmendje sportin e harruar të qitjes. Dikur sporti me më shumë medalje në arenën ndërkombëtare, sidomos kampionë europe ,sot qitja si shumë disiplina të tjera, ndodhet në situatë të vështirë, si pasojë e mungesës së investimeve, por edhe të sportistëve profesionistë. Kjo jo për shkak të mungesës së talenteve, por nga mos stimulimi i tyre për të vijuar në gjurmët e Tushës apo edhe shumë rekordmenëve të tjerë shqiptarë. Kampionia e qitjes, sportiste  e klubeve17 Nëntori” e “Partizani” dhe e ekipit kombëtar, dhe mjeshtrja e sportit Afërdita Tusha e zbuloi pasionin e saj për qitjen shumë herët.

 

Mami u takua me këtë profesion në vitet 60 sepse atëherë bëhej një parapërgatitje ushtarake për çdo shkollë të mesme, aty kuptoi që kishte pasion. Pa mbushur 18 vjeç kuptoi që kishte pasionin për këtë sport dhe gjithë jetën na fliste me pasion për qitjen. Nuk bënte sforco të mëdha, por i vinte natyrale që të kishte rezultate të mira. Kulminohet kjo gjë me Olimpiadën e Mynihut në 1972, sepse ishte hera e parë që një grua merrte pjesë në grupin e meshkujve dhe u rendit e tretame 94 pikë nga 100 të mundshme.

 Sonila Beqiri, vajza e Afërdita Tushës

Me një pasion të madh, Afërdita Tusha u rrit profesionalisht falë përkushtimit të Ali Matës, legjendës së sportit të qitjes. Ish trajneri i klubit “17 nëntori”  që nën drejtimin e tij fitoi mbi 70 herë titullin kampion kombëtar, arriti jo vetëm të afrojë qindra të rinj drejt këtij sporti por skaliti disa prej tyre me gërma të arta në historinë e qitjes shqiptare, si Dhurata Bahollin, Ermira Dingun, Lindita Zeqon, Eglantina Lalmin dhe vetë vajzën e tij Diana Mata. Ajo vetë është trajnere, tashmë prej 12 vitesh ndërsa numëron dhe 30 të tjera si sportiste profesioniste. Shkuam ta takojmë tek poligoni i “Qytetit Studenti”, mbase një ndër poligonet e vetme në kushte relativisht të mira që ka mbetur në gjithë Shqipërinë, ku Diana flet me shumë pasion për qitjen që sot ndodhet në situatë të vështirë.

Nuk ndahem dot nga poligoni, sepse e bëj shumë mirë këtë punë. Situata është pak e vështirë sepse i kam kaluar të gjitha periudhat, kishte gara shumë, shpërblime kurse tani është e vështirë. E para s’ka ambjente, por nëpër rrethe, janë marrë poligonet. Ana financiare, trajnimet janë shumë të vogla. Federata na ndihmon për armët. Gara “Pavarësia e Kosovës”, ekipi i Kosovës është jashtëzakonisht i fortë. Ne vetëm një herë në vit mund të zhvillojmë gara të tilla. Kaq është mundësia jonë. Ka shumë kërkesa nga të rinjtë por nuk i marrim dot sepse na mungojnë armët.

Diana Mata, trajnere e qitjes

Delegacioni sportiv shqiptar në Olimpiadën "Mynih 1972"

Situatën e vështirë e pranon edhe presidenti i Federatës së Qitjes, Stefan Rrufa i cili megjithatë beson se shumë shpejt ky sport do të ketë sërish kampionët e tij.

Gjendja e sportit është relativisht e mirë, varet se si do ta marrim nga rezultatet apo objektet sportive. Nga objektet sporteve, kemi vetëm një poligon në qytetin Studenti, një poligon në Vlorë. Më përpara kanë qënë 26 poligone, sot kemi 3 e gjysmë. Sa i përket rezultateve, janë sporadike, sportistët individual edhe rezultatet individuale. Ne si federatë mundohemi të sigurojmë bazën materiale, sepse granti i federatës është shumë i kufizuar, jemi shumë të shtrënguar. Nëse do kishim kushtet dhe mundësitë, kampionët do të dilnin padiskutim. Jam i bindur që brenda 3-4 vjetësh do kemi kampionët tonë.

Stefan Rrufa, president i Federatës së qitjes

I habitur nga mungesa e vëmendjes dhe investimeve përgjatë viteve të tranzicionit, mbeti 5 vite më parë edhe Blendi Nallbani kur u zgjodh drejtor i Klubit Sportiv Studenti. Ai shpreh keqardhjen që ky sport është lënë kaq pasdore, kur shumë të rinj kanë interes dhe pasion qitjen.

Kam 5 vite që jam në drejtim të këtij klubi, ekipin e qitjes e kam ndjekur që në moshë të vogël, ka qenë ndër sportet me rezultate shumë të mira, që në kohën e monizmit. Me thënë të drejtën jam habitur për kushtet, kam mbetur i shtangur sepse nuk ishte vënë dorë që prej fillimit të demokracisë,më vjen keq që ky sport të lihet pas dore. Ky sport ka mbijetuar falë dashamirësve dhe atyre që e kanë pasion. Interes nga të rinjtë ka shumë, shoh vajza e djem të rinj edhe miqtë e mi kanë dëshirë. Por është profesion i vështirë sepse ka specifikën e vet, kërkon trajnerë profesionistë.

Blendi Nallbani, Presidenti i klubit "Studenti"

Një prej të rinjve të apasionuar pas qitjes e që sapo ka thyer rekordin që do të mund ta kualifikonte atë për lojërat olimpike është edhe Kristina Anxhara, e cila thotë se ky sport, pavarësisht dëshirës së saj të madhe, nuk i ofron dot mundësinë për ta ushtruar si profesioniste.

Kam thyer rekordin, mbi normën e kualifikimit për lojërat olimpike. Jam shumë e lumtur, kënaqësi morale. Unë përpiqem të vij 3 herë në javë, mesatarisht një orë duke patur parasysh që vij pas pune. Sporti nuk arrin të më afrojë mundësitë që të jem sportiste profesioniste. Realisht për momentin nuk mund të kemi sportistë profesionistë dhe kërkon diku 6 orë stërvitje në ditë, pra të lëmë gjithë punët që kemi dhe të ardhurat që vijnë nga qitja nuk mjaftojnë.

Kristina Anxhara, qitëse

Qitësja Kristina Anxhara

Edhe Ilian Lati e ka pasion qitjen që i vogël. Edhe pse 14 vjeç, e shumë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që preferojnë teknologjinë përpara sportit, ai është i vendosur të punojë fort me besimin se mund ta ketë një të ardhme në qitje.

E kam patur pasion që i vogël, e kam nisur me lojëra. Kërkova për të patur një të ardhme që ta shfrytëzoj këtë talent që kam. Gjeta këtë poligon me Dianën. Edhe pse jam më i vogli, besoj se e kam një të ardhme. Shokët shpesh qeshin me mua por kjo smë ndalon fare sepse e kam pasion.

Ilian Lati, qitës

Janë të gjithë të rinj që janë rritur duke dëgjuar emrat e legjendave të këtij sporti, që duket se nuk do ti vijnë më qitjes.

Normalisht unë jam këtu dhe emrat si Afërdita Tusha i kam dëgjuar dhe jemi rritur me legjendat e tyre. Po e fillove këtë sport është e pamundur ta lësh.

Kristina Anxhara, qitëse

Kemi shumë talente. Nuk vijnë më talente si Afërdita Tusha, sepse ne kemi patur kushte të tjera. Kanë që 35 poligone, interesi për sportin ka qenë më i madh. S’ka shumë mbështetje për sportin. Shumë sportistë largohen, edhe pse talente ka. Afërdita Tusha ka qenë simboli i parë i një femre në qitje, dhe bëri shumë bujë në olimpiadën e Mynihut. Në atë periudhë e mori vlerësimin e duhur. Kemi qenë kolege dhe kemi thyer shumë rekorde, rekordi im edhe i saji nuk thyhet më.

Diana Mata, trajnere e qitjes

Një garë qitjeje në "Qytetin Studenti"

E në fakt, qitja ishte sporti i parë shqiptar që shkoi në Lojërat Olimpike. Ishte pikërisht Afërdita Tusha që konkuroi në kategorinë e meshkujve në Olimpiadën e Munihut më 1972. Ajo kishte talent të veçantë në pistoletë 50 m distancë. Në vendin tonë ishte e para edhe në kategorinë e meshkujve dhe rregullorja e kohës e lejonte këtë. Ishin momente që emocionuan gjithë shqiptarët ndërsa ndiqnin nga ekrani televiziv të Radio-Televizionit Shqiptar, sportistët shqiptarë të parakalonin, me Tushën e veshur me kostum popullor në krye në pistën e stadiumit Mynihut.

Ato kanë krijuar histori. Mund të them që në vitet 60-70-80 sporti në Shqipëri doli në pah, tani e shoh më të zhvlerësuar sportin në përgjithësi jo vetëm qitjen. Në ato 30 vite ishte periudha e artë e gjithë llojeve të sporteve. Duhet të dimë nga vijmë, për brezat aktualë. Në botën e qitjes, mami ende kujtohet. Jashtë kësaj bote jeta, interesat kanë ndryshyar. Afërdita Tusha është një nga emrat më të rëndësishëm që dha rezultate për ato 27 vite që praktkoi sportin e qitjes.

Sonila Beqiri, vajza e Afërdita Tushës

Në 26 gusht të vitit 1972, Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Lojrat Olimpike. Në ceremoninë e hapjes, pas Greqisë që mban tradicionalisht vendin e parë në cdo Olimpiadë, Egjiptit, Etiopisë dhe Afganistanit në pistën e “Olimpic Stadion” parakaloi delegacioni sportiv shqiptar përbërë nga shtatë sportiste Ymer Pampuri peshëngritës kampion e rekordmen olimpik, Beqir Kosova, Fatos Pilkati, Ismail Rama , Afërdita Tusha trajneri Zyhdi Mazreku dhe Xhemal Punavia, në atë kohë zv/ministër i arsimit. Këtij delegacioni të vogël i printe “flamurmbajtësja” veshur me kostumin kombëtar tradicional shqiptar, fakt ky, që bëri të tërhiqte shumë vëmendjen e të pranishmëve. Por, interesimi e vëmendja e tyre do të rritej edhe më shumë kur disa ditë më pas në poligonin e qitjes në Hochbryk fare pranë Munihut, në vijën e zjarrit në distancën 50 metra pistoletë e lirë u rreshtuan 59 qitës, që përfaqësonin 36 shtete nga të gjithë kontinentet. Dhe mes tyre, binte në sy prania e të vetmes grua. Ajo ishte Afërdita Tusha, e cila garoi në baterinë e dytë në serinë e dhjetë goditjeve të para ku zuri vendin e tretë me 94 pikë nga 100 të mundshme, 2 pikë më pak se vendi i parë. Madje për atë vit Afërdita Tusha rezultoi e para femër në Botë, arriti të prekte një rezultat të tillë. Për nder të saj, Federata shqiptare e qitjes, ka vendosur që këtë vit të organizojë një kupë me emrin e Afërdita Tusha.

Qitësja Afërdita Tusha

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkup/ Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur

Shkup/ Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur