Administrata Tatimore ka reaguar në lidhje me radhët e gjata dhe shtyrjen e afateve që QKR ka vendosur në kuadër të regjistrimit dhe përditësimit të të dhënave për bizneset.

Referuar lajmeve të ditëve të fundit për radhët e gjata Administrata ka nisur një njoftim sipas të cilit sqaron arsyet se përse tatimpaguesit janë të detyruar të përditësojnë të dhënat e tyre pranë QKR.

Duke parë në realitetin e përditshëm shmangien dhe mosplotësimin e këtij detyrimi, Administrata Tatimore vendosi që ti bëjë thirrje tatimpaguesve për ta plotësuar atë, në mënyrë që të mos penalizoheshin, siç e parashikon legjislacioni në fuqi. Në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre ditëve Administrata ka sqaruar tatimpaguesit se në cilat raste do të duhej të paraqiteshin në sportelet e Q.K.R-së dhe çfarë përbënte kjo nisëm për ta,”- shkruan QKR. 

Duke iu referuar radhëve të gjata Administrata e justifikon këtë si nivel të ulët të përmbushjes vullnetare që kanë tatimpaguesit për detyrimet e tyre ligjore. “Qëllimi i Administratës Tatimore me këtë veprim është zbatimi i filozofisë së saj të re, për të mos penalizuar tatimpaguesit, por për ti ndihmuar ata. Afatet kohore vihen në dispozicion të tyre, pikërisht për ti bërë të ndjeshëm për detyrimin e tyre që duhet plotësuar,” – sqaron Administrata.
 
Më poshtë reagimi i plotë i Administratës Tatimore
 
Administrata Tatimore nëpërmjet kësaj komunikate kërkon të sqarojë opinionin publik, tatimpaguesit dhe mediat mbi keqinterpretimet e përdorura mbi shtyrjet e afateve të përditësimit të të dhënave të detyrueshme të tatimpaguesve pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Çdo tatimpagues ka detyrimin ligjor që të përditësojë të dhënat e tij, sa herë që i ndryshon, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Në këto të dhëna, ndër të tjera përfshihen adresat kryesore dhe sekondare si dhe veprimtaria ekonomike e tatimpaguesve. Duke parë në realitetin e përditshëm shmangien dhe mosplotësimin e këtij detyrimi, Administrata Tatimore vendosi që ti bëjë thirrje tatimpaguesve për ta plotësuar atë, në mënyrë që të mos penalizoheshin, siç e parashikon legjislacioni në fuqi. Në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre ditëve Administrata ka sqaruar tatimpaguesit se në cilat raste do të duhej të paraqiteshin në sportelet e Q.K.R-së dhe çfarë përbënte kjo nisëm për ta.

Për realizimin e këtij detyrimi të tatimpaguesve, Administrata Tatimore ka bashkëpunuar ngushtë me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, e cila ka punuar me kapacitet të plotë dhe mbi të gjitha ka përballuar një fluks të gjerë tatimpaguesish. Numri i madh i aplikantëve tregon nivelin e ulët të përmbushjes vullnetare që kanë tatimpaguesit për detyrimet e tyre ligjore dhe njohuritë e pakta mbi to.

Qëllimi i Administratës Tatimore me këtë veprim është zbatimi i filozofisë së saj të re, për të mos penalizuar tatimpaguesit, por për ti ndihmuar ata. Afatet kohore vihen në dispozicion të tyre, pikërisht për ti bërë të ndjeshëm për detyrimin e tyre që duhet plotësuar. Këtë fakt duhet të kenë parasysh edhe mediat kur raportojnë këto zhvillime dhe jo të godasin punën që po kryhet nga kjo Administratë sipas një modeli bashkëkohor dhe europian. Fakti që masa e gjobave për vitin 2014 është ulur me 30% ose 33 Milionë USD krahasuar me 2013, është një tregues se misioni ynë nuk drejtohet tek penalizimi, por tek rritja e mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet rritjes së vetëdeklarimit të tatimpaguesve, në mënyrë që të mbështetim programin e Qeverisë Shqiptare në zhvillimin e vendit. 

Duke shpresuar se Misioni i Administratës Tatimore do të mirëkuptohet si një mbështetje në zhvillim të shoqërisë shqiptare, presim në të ardhmen një angazhim më pozitiv të mediave përkundrejt nismave tona.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)