TIRANE - Në urgjencën kirurgjikale thuajse mungon çdo gjë. Duke filluar që nga medikamentet e thjeshta, antibiotikët e madje edhe fashat, që bluzat e bardha përdorin për të mjekuar plagën e operacionit. Dhe nuk është vetëm kjo. Kjo godinë dykatëshe, duke qenë se është një ndër godinat më të vjetra të kompleksit të spitaleve, e ndërtuar që para më shumë se 70 vjet, është në gjendje të mjerueshme dhe një rrezik i madh infeksioni, për ata që i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjikale. I përfshirë disa herë në projekte, për rindërtimin e kësaj godine të amortizuar, pasi rikonstruksioni i saj është i pamundur për shkak të vjetërisë, ende nuk është gjetur një zgjidhje konkrete për shumë nga shërbimet që merren në këtë spital.

MUNGESAT
Vjollca është rreth të 40-ve, e cila ka bërë të ëmën operacion për veshkën. Ajo na rrëfen se të qëndrosh në këtë spital është një vuajtje pa fund, jo vetëm për shkak të pisllëkut që ka pushtuar këtë shërbim, por edhe mungesës së theksuar të medikamenteve. "Ja po qëndroj këtu jashtë sepse nuk rri dot brenda në dhomat e spitalit. Janë të pista pa fund. Të gjitha! Duke filluar edhe me sallën e operacionit e të përfundosh me çdo dhomë që ka spitali", - tregon Vjollca. Ajo është bërë e rregullt që prej një jave në këtë spital, por shprehet se nuk e duron dot erën e keqe që ka spitali, aq sa i vinte për të vjellë. "Vetëm nga halli vij këtu, do të doja shumë të isha te koka e mamasë sime në këto momente, por po rri jashtë se nuk e duroj dot erën e rëndë, nuk e shoh dot ambientin skandaloz që ka ky spital. Mjerë kujt i bie për pjesë të vijë këtu. Ekonomia e dobët na detyroi që e sollëm këtu, pasi më mirë bukë me kripë e një kurim në spitalin privat, se sa këtu ku nuk ka as kushtet më minimale"- vazhdon ajo. Më tej ajo rrëfen se nuk e di se sa lekë kanë shpenzuar deri më tani, pasi duhet të blejnë vetë gjithçka. Duke filluar tek medikamenti më i thjeshtë. Madje edhe fashat i blejnë vetë. "Këtu jo vetëm është shumë keq situata higjienike, por edhe ilaçet i blejmë vetë, madje edhe fashat. Ndonjëherë na japin fasha, por në shumicën e rasteve jo. Më kanë shkuar ilaçet 120 mijë lekë pasi në spitale nuk të japin asgjë"- thotë Vjollca për "Shqiptarja.com".


KUSHTET
Urgjenca kirurgjikale, një godinë 2-katëshe që ndodhet në të djathtë të hyrjes kryesore të QSUT-së, është e gjitha në gjendje të amortizuar. Dhe këtë nuk e është e vështirë ta dallosh. Vjollca na tregon se në çdo dhomë të spitalit, në çdo kat të tij mban një erë shumë të keqe, që është thuajse e padurueshme. Sipas pacientëve, por edhe nga vëzhgimi ynë, thuajse të gjitha dhomat e të dy kateve ishin në gjendje të mjerueshme, të palyera, të pista, madje në gjendje të mjerueshme ishte edhe korridori që të çon në sallën e operacionit. Në të ka lagështirë pa fund dhe muret janë plasaritur, por nuk mungojnë as rrjetat e shumta të merimangave. Një pjesë e shërbimeve të urgjencës së kësaj klinike janë zhvendosur në ambiente e reja dhe tepër komode, të vëna në dispozicion vetëm një vit më parë, por për shumë shërbime kirurgjikale që ndodhen në këtë godinë 2-katëshe ende nuk është gjetur një zgjidhje e mirë, si për mjekët ashtu edhe për të sëmurët.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të SHQIPTARJA.com)