Në Qendrën Spitalore Universitare QSUT Nënë Tereza po zhvillohen paralelisht disa projekte të rëndësishme që synojnë modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, mjekët dhe studentët e mjekësisë.

Projektet kryesore përfshijnë ndërtimin nga e para të Pediatrisë Infektive, rikonstruksionin e disa shërbimeve spitalore dhe ndërtimin e një parkimi të ri multifunksional me kapacitet rreth 1 400 vende parkimi, i shoqëruar me hapësira për konferenca, trajnime dhe shërbime mbështetëse.

Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot QSUT-në, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe Drejtuesja e QSUT-së, Anxhela Paparizo.

Gjatë inspektimit u bë e ditur se Kardiokirurgjia ka përfunduar ndërtimin dhe pritet të hapet në muajin mars, ndërsa spitali ditor dhe shërbimi i djegie-plastikës po i nënshtrohen rikonstruksioneve të mëtejshme. Ndërtimi i parkimit multifunksional, që do të ketë edhe platformë për helikopterë emergjence dhe ashensorë për ambulanca, parashikohet të përfundojë në shtator të vitit 2026.

Sipas Drejtorit të Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Dritan Agolli, ky investim do të lirojë rreth 80 mijë metra katrorë, të cilët do të kthehen në park urban. Kryeministri Rama e cilësoi projektin si një lehtësim të madh për funksionimin e QSUT-së dhe një model që gjeneron të ardhura për vetë institucionin shëndetësor, duke synuar transformimin e gjithë kompleksit në një hapësirë të gjelbëruar dhe miqësore për qytetarët.