Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA”, pas konstatimit të pranisë së një bakteri të rrezikshëm i njohur si 'cereulide'.
Në njoftim AKU thekson se trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu, ndërsa nga ana tjetër u bëhet apel të gjithë qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
Edhe para disa ditësh AKU u bëri thirrje konsumatorëve edhe për dy produkte të tjera konkretisht atë ‘BEBA’ dhe “NAN 1 OPTIPRO”, për të kthyer atë në pikat e shitjes.
Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë simptoma të shpejta të helmimit ushqimor, përfshirë të vjella dhe dhimbje barku.
Njoftimi i plotë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026
Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.
AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
Siguria Ushqimore – Sfida Jonë e Përbashkët
Komente









