Duke marrë shkas nga Letra dërguar Qeverisë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës nga ana e 8 Ministreve të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, më datë 7 tetor 2019, nisur nga detyrimi moral si bijë e këtij vendi, që nuk e gjen veten të përfaqësuar aspak në atë letër, dhe për shkak të detyrës që kryej në mbrojtje të foshnjave të palindura që rrezikohen dhe e humbin jetën për çdo ditë nga aborti në maternitetet tona, po marr mundimin që t’i zbardh disa fakte dhe të dhëna mbi arritjet e Holandës dhe humbjet e Shqipërisë për shkak të miratimit të një ligji kaq makabër siç është Ligji Nr. 8045 për Ndërprerjen e Shtatzënisë, i cili është miratuar më 7 dhjetor 1995 nga Kuvendi Shqiptar.
Prej 8 vjetësh tashmë, shërbej vullnetarisht në Lezhë, pranë Qendrës për Jetën “Shën Jozefi”, për t’iu ndihmuar vajzave të pamartuara dhe nënave tashmë me fëmijë që t’i mbajnë fëmijët e tyre, të cilët, pavarësisht rrethanave dhe kushteve në të cilat janë ngjizur, nuk kanë bërë asnjë faj për t’u dënuar me vdekje. Sa ndjej dhimbje për secilën nënë apo vajzë që ka kaluar nëpër peripeci dhe vështirësi nga më të ndryshmet, deri edhe kërcënimet me jetë, po aq ndihem edhe krenare për të gjitha e secilën prej tyre që, me guxim të madh, e mposhtën frikën dhe turpin e paragjykimit dhe zgjodhën jetën për fëmijën e tyre.
Sot, “fëmijët e mi”, siç i quaj unë ata, janë të shumtë dhe kanë hyrë në shkollë. Ata kërkojnë të nxënë dije, por shumë shpejt do ta kuptojnë se paska një ligj, në Shqipërinë tonë të dashur, që do t’ia kishte marrë jetën vite më parë, që në bark të nënës, pa i hyrë ferra në këmbë askujt: as prindërve që paguajnë për vrasjen e birit apo bijës së tyre dhe as mjekëve që, fatkeqësisht, shndërrohen në vrasës me pagesë.
Këta fëmijë janë të mbijetuarit e masakrës së madhe të abortit, vrasjes së ligjshme të foshnjave të palindura, të cilët i ikën për mrekulli thonjve të vdekjes, që nuk ngihet kurrë me gjak të pafajshmish. Këta fëmijë janë dëshmitarët e gjallë se jeta triumfon gjithmonë kur ka njerëz vullnetmirë që duan ta bëjnë të mirën, edhe kur e keqja është institucionalizuar dhe është bërë ligj tashmë. Kur flas për njerëzit vullnetmirë, nuk flas për veten, por për të gjithë ata njerëz brenda dhe jashtë maternitetit, njerëz të profesioneve të ndryshme, të pasur e të varfër, besimtarë e jobesimtarë, që me punën, me kursimet dhe me lutjet e tyre, e kanë bërë të mundshme që këta fëmijë, bij e bija shqiptare, të vijnë në jetë dhe t’i gëzojnë prindërit e tyre, si biologjikë edhe birësues. Ky është gëzimi i zemrës sime!!!
E besoj se ky gëzim do të duhej të ishte në zemrën e çdo pushtetari që lodhet dhe mundohet për të mirën e popullit të vet, për jetën e bashkëkombësve të vet, për të ardhmen e vendit të vet! Po nëse kemi një ligj që e përgjysmon që në shtatzëni numrin e shqiptarëve, për kë mundohemi ne sot dhe kujt do t’ia lëmë këtë vend nesër? Quo vadis, Shqipëria ime?!?!
Nuk dyshoj se ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz që mundohen për këtë vend si brenda dhe jashtë drejtimit qeveritar të vendit. Por, gjuha e përdorur nga 8 Ministret tona, në Letrën drejtuar Qeverisë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës, duke e lartësuar ligjërimin e abortit si arritje, lë shumë për të dëshiruar. Pa dashur ta komentoj përmbajtjen e plotë të letrës apo se a ishte me vend apo jo shkrimi dhe nisja e kësaj letre, po ndalem vetëm te përmbajtja e paragrafit të tretë të letrës, gjuha e të cilit na lejon ta analizojmë mirë gjendjen në të cilën jemi dhe se ku po na shpien politikat kundër jetës, që tashmë i kemi përvetësuar dhe po i zbatojmë pa shumë bujë prej pothuajse gjatë gjithë kohës së demokracisë sonë të brishtë.
Së pari, po e sjell paragrafin në fjalë, ku 8 Ministret tona shprehen si më poshtë vijon:
“Ne, në Shqipëri, e admirojmë me të vërtetë Holandën. Arritjet tuaja shërbejnë si frymëzim për të gjitha vendet e vogla, një përkujtues se si të gjithë ne mund të arrijmë suksese përtej mundësive tona jo vetëm ekonomikisht e politikisht, por edhe nga ana shoqërore dhe kulturore. Ju jeni një vend i traditave të mëdha dhe mbani rekordin për guxim politik dhe tolerancë shoqërore. Ju jeni në mesin e vendeve të para në botë që keni ligjëruar abortin. Ju e hoqët dënimin me vdekje në vitin 1870, njohët të drejtën e grave për të votuar në vitin 1917, dhe u bëtë vendi i parë në botë që ligjëruat martesën mes njerëzve të së njëjtës gjini në vitin 2001. Ju jeni gjithmonë në krye të renditjes së të gjitha indekseve ndërkombëtare për lirinë e shtypit, lirinë ekonomike, zhvillimin njerëzor dhe cilësinë e jetës, si edhe për lumturinë. Në të vërtetë ka shumë çfarë të admirojmë dhe sigurisht çfarë të mësojmë prej jush.”
Le t’i shkojmë pak më në thellësi tekstit.
Po, ndër të parat vende në botë është Holanda jo vetëm për ligjërimin e abortit dhe të martesave mes njerëzve të së njëjtës gjini, por edhe për trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore. Madje, Holanda është e para edhe për ligjërimin e eutanazisë. E aq para është tani në këtë drejtim, saqë të moshuarit po kanë frikë të shkojnë në spital, pasi mjekët ia nënshkruajnë urdhrin e dënimit me vdekje, pasi sëmundja e tyre i kushton shtrenjt shtetit!!!
Sigurisht se Holanda ka arritje të larta në rritjen e cilësisë së jetës, në shërbimin social, në kujdesin gjatë shtatzënisë, etj., dhe më vjen keq që ministret tona kanë veçuar si shembull arritjeje ligjërimin e abortit. Pasi nëse ndalemi vetëm te ligjërimi i vrasjeve të të pamundurve, qofshin ata foshnje të palindura, të sëmurë rëndë apo të moshuar, atëherë nuk kemi shumëçka t’i lakmojmë Holandës. Ajo po ia sheh tani vetë rezultatet zgjedhjeve që ka bërë ndër vite në këtë drejtim. Mjafton të përmendim numrin e ulët të lindjeve që pakësohen vit pas viti, fenomen që shoqërohet me aborte të larta dhe me shtimin e përdorimit të kontraceptivëve, që janë edhe këta shkaktues aborti kur janë me bazë hormonale.
Holanda po i bën dhe do t’i bëjë vetë llogaritë për pasojat nga ligjërimi i abortit, por Shqipëria po humb shumë për shkak të tij. Së pari, nuk po arrijmë dot të shtohemi si popull. Kemi vite që nuk po e kalojmë dot pragun prej 3 milionë banorësh; dhe nuk i dihet se kur! Sipas INSTAT-it, Shqipëria numëronte 2.862.427 persona më 1 janar 2019. Së dyti, përmes ligjërimit të abortit, i kemi hapur rrugën zhdukjes në masë të vajzave dhe të foshnjave të sëmura, ku ndër të parët radhiten fëmijët me Sindromën Down.
Statistikat tona, edhe pse nuk janë të plota, prapëseprapë japin shifra alarmuese. Po i sjell këtu dy statistika kryesore të marra nga botimi i INSTAT-it “Burra dhe Gra në Shqipëri 2019”.
Shkalla e lindshmërisë po pëson ulje nga viti në vit dhe në vitin 2018 arriti në vlerën 1,37 nga 2,1 që duhet të jetë për të siguruar të paktën zëvendësimin e popullsisë në vend.
Niveli i lindjeve në vitin 2018 njohu vlerën më të ulët në vite, vetëm 28.934 lindje. Ndërsa niveli i aborteve ka shënuar rritje nga një dhe dy vite më parë, duke arritur në 5.532 aborte, që do të thotë se 1 në 5,2 ose 19,1% e lindjeve janë aborte.
Sipas këtyre të dhënave, lindjet në Shqipëri po pësojnë rënie vit pas viti. Kjo edhe si pasojë e migrimit në masë, por edhe për shkak të abortit dhe përdorimit të kontraceptivëve.
Shqipëria ka vite që nuk e kalon dot nivelin e zëvendësimit të popullsisë me anë të lindjeve. Shkalla e tanishme, 1.37, është më e ulëta e njohur ndonjëherë në vendin tonë. Vetëm ky tregues do të duhej ta nxiste Ministrinë tonë të Shëndetësisë që të merrte masa për nxitjen e rritjes së popullsisë, në vend se të bënte fushata (të financuara edhe nga Holanda!) për përdorimin e kontraceptivëve.
Dikush mund të thotë se abortet nuk janë të gjitha të vullnetshme. E drejtë, pasi ka edhe aborte spontane. Mirëpo, duhet ditur se abortet e vullnetshme nuk shënohen gjithmonë si të tilla, sidomos në rastet kur ato janë shkaktuar nga pilula abortuese RU486 (Mifepriston dhe Misoprostol). Gratë dhe vajzat, në këto raste, vijnë me hemorragji të lartë në maternitet, dhe kështu, sipas observimit mjekësor, rasti shënohet si abort spontan ose thjesht si hemorragji.
Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se statistikat në Shqipëri nuk janë të plota, pasi mungojnë të dhënat nga strukturat private. Kjo gjë na shtyn të mendojmë se numri i aborteve të vullnetshme duhet të jetë edhe më i lartë se ai i raportuar.
Sidoqoftë, edhe sikur këto të dhëna statistikore të jenë të sakta, Shqipëria nuk e ka luksin që të humbë 1 fëmijë në 5 për shkak të abortit, qoftë ai i vullnetshëm apo spontan. Çdo fëmijë i humbur është një plagë e madhe për çdo familje dhe për çdo grua pikësëpari, por edhe një humbje për potencialin e zhvillimit të vendit tonë.
E aborti i vullnetshëm, pastaj, është edhe më i rëndë, pasi prindërit që e kërkojnë atë, e në mënyrë të posaçme nëna, shënjohen njëherë e përgjithmonë me vulën e rëndë të porositësit të vrasjes së pinjollit të vet. Ky veprim mbart pasoja të rënda jo vetëm shpirtërore për personin që e kryen, por edhe fizike, ku mund të përmendim infeksionet e ndryshme, dëmtimin e mitrës dhe të qafës së mitrës, gjë që mund të shpjerë edhe deri në mospasjen më fëmijë të tjerë. Nuk janë të rralla as rastet e vdekjes së vetë nënës.
Siç e ceka edhe më lart, ligjërimi i abortit tek ne, i ka hapur dyert një plage shumë të madhe, asaj të zhdukjes së vajzave, pasi familjet në një pjesë të mirë të rasteve parapëlqejnë të kenë djalë dhe e kërkojnë atë me çdo kusht. Jam vetë dëshmitare e rasteve kur nënat më kanë rrëfyer me lot në sy se kanë qenë të detyruara nga burrat e tyre dhe familjarë të tjerë që t’i abortonin 1, 2, 3 e deri në 5 vajza për të pasur një djalë. Sot flitet shumë kundër abortit përzgjedhës (selektiv), pra të abortimit të femrave për shkak se janë femra, e megjithatë përballemi me një paradoks: pothuajse të gjithë njerëzit, që shprehen kundër këtij fenomeni në Shqipëri, janë pro abortit!!!
Aborti nuk është lojë! Gratë dhe vajzat, me të cilat kam qarë, kur m’i kanë rrëfyer përvojat e tyre të hidhura e të pashlyeshme të abortit, nuk ma kanë dhënë këtë përshtypje. Ato kanë makthe, ato dridhen ende kur mendojnë se e kanë shkulur njëherë e përgjithmonë prej kraharorit të tyre gjënë më të shtrenjtë, dhuratën më të bukur, fëmijën e tyre! Dhe lotët e tyre nuk pushojnë në çdo përvjetor kur kujtojnë se sa vjeç do të ishte vajza apo djali i tyre në atë ditë!
Dhimbja dhe pendimi jetojnë përgjithmonë në zemrat e të gjithë njerëzve që janë të përfshirë në aborte, edhe kur përpiqen që t’i shtypin ato për të vazhduar përpara, a thua sikur ajo shtatzëni të mos kishte ndodhur kurrë. Por, jo! Biologjia na mëson se jeta njerëzore fillon në ngjizje. Shkenca nuk ndryshon! Të gjithë ne të gjallët e kemi nisur kështu rrugëtimin tonë jetësor. Në fillim kemi qenë zigotë, pastaj embrion, pastaj fetus, pastaj kemi lindur, më pas foshnje, fëmijë, adoleshentë, të rritur dhe në fund plakemi e vdesim. Thjesht kalojmë nga njëra fazë te tjetra si brenda ashtu edhe jashtë mitrës. Në fakt, po të mos ishim njerëz që prej ngjizjes deri në lindje, nuk do të ishim njerëz as pas lindjes.
Fakt është se aborti nuk e zhbën ngjizjen që ka ndodhur mes dy gametave, që është një jetë e re njerëzore, që është një fëmijë! Aborti thjesht e nxjerr qenien njerëzore, që është embrion ose fetus, jashtë mitrës, por gruaja/vajza dhe burri/djali, që janë të përfshirë në këtë ngjizje, do të mbeten përgjithmonë nëna dhe babai i foshnjës së abortuar! Dhe aborti nuk është një vdekje dosido, por një nga ato më të tmerrshmet, që njerëzit e përmendin vetëm kur mallkojnë rëndë: “Të shqyej për së gjalli!” Mirëpo, nuk dua të flas për këtë gjë këtu. Ngelet ta trajtoj gjerësisht në një shkrim tjetër.
Gjithashtu, është fatkeqësi që sot fëmijët po e gëzojnë dhuratën e jetës vetëm nëse janë të dëshiruar nga prindërit e tyre. Madje, po luftohet fort nga feministet nëpër botë që vendimin për ta mbajtur apo për ta abortuar fëmijën ta ketë vetëm nëna. Këtë teori e kanë futur si pa u ndjerë në shkollat tona, saqë gjej të rinj e të reja që mendojnë se vetëm nëna duhet të vendosë për jetën e fëmijës. Pra, femra aborton sepse mashkulli e braktis, por femra prapëseprapë mund të abortojë edhe kur mashkulli e dëshiron fëmijën. I mjeri fëmijë në bark të kujt ka rënë! Në emër të çlirimit të femrës, asaj po i ngarkohet barra e rëndë për të vendosur se cili fëmijë i saj të jetojë dhe cili të vdesë! Paradoksale edhe kjo!!!
Fatmirësisht, ministret tona e kanë hapur letrën e tyre me fjalët e shtrenjta “si nëna dhe si motra, si gra që luftojmë për familjet tona dhe për vendin tonë”. Shpresoj vërtet që ato t’i jetojnë dhe t’i nderojnë për çdo ditë këto fjalë me veprat e tyre në të mirë të vendit tonë dhe të njerëzve të cilëve iu shërbejnë. Ka shumë për të bërë dhe për ta bërë mirë që cilësia e jetës së femrave, çifteve dhe fëmijëve të tyre të rritet deri në atë masë saqë askush të mos ketë nevojë ta abortojë frytin e barkut të vet.
Katër nga tetë Ministret tona drejtojnë ministri shumë të rëndësishme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e familjes shqiptare.
Znj. Ogerta Manastirliu drejton Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku mund të ofrohen shërbime të posaçme për vajzat dhe gratë që kërkojnë ndihmë për të mos abortuar, ku duhet të zbatohet ligji për këshillimin e vajzave dhe grave para kryerjes së abortit për alternativat e sjelljes në jetë të fëmijës së tyre, ku mund të lehtësohen praktikat e lënies së foshnjave për birësim nga nënat që nuk mund t’i mbajnë, ku mund të ofrohen shërbime më të mira në jetimore, etj.
Znj. Anila Denaj drejton Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ku mund të ndahen fonde jo vetëm për familjet në nevojë, por edhe për paketa të posaçme sidomos për rastet e vajzave apo grave që kërkojnë abort.
Znj. Besa Shahini drejton Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku mund të kalohen programe mësimore që iu mësojnë të rinjve vlerën e jetës dhe respektimin e saj që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
Znj. Etilda Gjonaj drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku mund të përmirësohet baza ligjore për dhënien e fëmijëve në birësim dhe të përnxitet birësimi brenda vendit, ku mund të përmirësohen bazat ligjore dhe të merret çdo masë për zbatimin e ligjeve që e mbrojnë familjen dhe mirërritjen e fëmijëve, etj.
Edhe ministret e tjera kanë shumë çfarë të bëjnë brenda ministrive të tyre për t’iu ofruar një jetë më të mirë bashkëvendësve të tyre, të cilëve kanë marrë zotimin që t’iu shërbejnë.
Përmirësimi i politikave pro familjes ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe iu ndihmon çifteve që ta zgjedhin jetën për secilin fëmijë të tyre. Madje, nga përvoja, dëshmoj se edhe në rastet më të rënda, që janë ato të vajzave të pamartuara shtatzëna, pjesa më e madhe e tyre i drejtoheshin abortit jo aq prej turpit, por prej mungesës së mbështetjes. Ato kërkojnë siguri financiare, strehim dhe punë, për ta rritur fëmijën e vet si gjithë të tjerët.
Kam ende besim dhe mbetem me shpresën se zonjat tona ministre, dhe ata apo ato që do t’i pasojnë, do të punojnë fort që t’ia lehtësojnë mundimin e sjelljes së një fëmije në jetë çdo çifti e çdo femre, që çdo shtatzëni të jetë një gëzim i ri në jetën e secilit prind dhe jo barrë sfilitëse e burim pengu.
Ruajtja e jetës nuk është detyrë vetëm e drejtuesve të shtetit, por e të gjithëve njerëzve. Të gjithë e kemi për detyrë që të ndihmojmë për ardhjen në jetë të një fëmije, me gjithçka që kemi dhe brenda mundësive dhe aftësive të secilit. Askush prej nesh nuk është aq i varfër saqë të mos e bëjë dot një vepër të mirë. Mjafton edhe vetëm mirëkuptimi dhe buzëqeshja për t’ia ndryshuar jetën një femre shtatzënë të braktisur në vështirësinë e saj.
Duke vepruar kështu, secili prej nesh dhe të gjithë ne bashkë, do të mund ta ngjallim shpresën në familjen tonë, në rrethin tonë shoqëror, në shkollat e punët tona, e kështu në mbarë vendin tonë. Duke u kujdesur për më të varfrin ndër të varfrit, që është fëmija i palindur, ne tregojmë se jemi ende një shoqëri që ka shpirt, që është zemërgjerë, që e mbron jetën, dhe se jemi një shoqëri që ka të ARDHME!
Kimete Klenja*
Drejtuese Ekzekutive
Qendra për Jetën “Shën Jozefi”, Lezhë
Faleminderit që flisni t'vërtetën!
Përgjigju