"Alar Band" vijnë me këngën  “Do jetë vonë”

"Alar Band" vijnë me këngën  “Do jetë vonë”
Ata janë të talentuar, janë muzikantë në shpirt dhe kanë ardhur në momentin e duhur në tregun muzikor shqiptar. Pesë djemtë e “Alar Band” nga Elbasani, po shijojnë suksesin e këngës së re dhe bashkëpunimit me producentin Elgit Doda. Solisti i grupit Xhieldo Hyseni rrëfen për “Shqiptarja.com”, organikën e “Alar Band”, projektet për të ardhmen dhe vlerësimet e marra nga publiku për këngën e re.

“Alar Band” jeni shfaqur krejt papritur në “Kënga Magjike”, ndërkohë që kënga juaj “Do jetë vonë”, vetëm në ditët e para të saj ka arritur të rrëmbej me mijëra klikime. Na tregoni pak më tepër për grupin tuaj?

Fakti që u shfaqëm tani nuk do të thotë që nuk kemi ekzistuar, por përkundrazi fakti që u shfaqëm tani është sepse ky ishte momenti dhe kjo ishte kënga e duhur për tu prezantuar përpara publikut shqiptar. “Alar Band” është formuar rreth një vit më parë dhe përbehet nga 5 djem, të gjithë me formim artistik në shkollën e muzikës “Onufri” në Elbasan. Unë jam vokalisti, ndërkohë që Renato Kodra luan në fizarmonikë, Ardit Serica në piano, Aldo Meta në violinë dhe Remi Shrali në bateri. Është një ndërthurje shumë e mirë tipash dhe karakteresh që ka sjellë një frymë shumë pozitive në grup. Të qenurit me formim artistik na bën që të jemi shumë më të përgjegjshëm dhe kritik ndaj krijimeve tona, ndaj edhe menduam se ky ishte momenti që ne kemi arritur një pjekuri artistike të mjaftueshme për të qenë në një kompeticion të tillë.

Kënga juaj vjen si një produkt i producentit Elgit Doda, teksti dhe muzika janë të shkruara prej tij, ndërkohë që edhe prezenca skenike juaja ka qenë shumë e këndshme. Si lindi bashkëpunimi me Elgitin?
 
Menduam që kënga “Do jetë vonë” të ishte fillesa dhe pjesëmarrja jonë e parë në një kompeticion të gjerë dhe mbaëkombëtar siç është “Kënga Magjike”. Sigurisht, që ne e
shohim këtë pjesëmarrje edhe si një mundësi shumë të mirë për tu promovuar dhe për të qenë pjesë e tregut muzikor. Kënga vjen me kompozim dhe tekst nga producenti i mirënjohur Elgit Dida. Djemtë e “Alar Band” kanë me Elgitin një marrëdhënie shumë të mirë, duke qenë se ai është një nga miqtë tanë më të vjetër dhe kjo ka qenë ndër arsyet kryesore për të cilën ne zgjodhën të realizohej ky bashkëpunim. Elgiti gjithashtu ka një intuit shumë të mirë për të dalluar shijet e tregut muzikor. Që në momentin e parë që ai na paraqiti vijën melodike të këngës ne e kuptuam se ishte ajo që donim dhe realizuam bashkëpunimin për këngën “Do jetë Vonë”.

Për çfarë flitet kënga dhe si jeni pritur nga publiku, se duket që klikimet dhe komentet po shtohen dita ditës?

Megjithëse vlerësimi për këngën i ngelet publikut, ajo që mund të themi me siguri është që gjatë këtyre ditëve kemi marrë pafund mesazhe urimesh dhe komplimentesh
për këtë prezantim. Në fakt, mbështetjen për këtë këngë e morëm që në publikimin në skenë. Sa i takon tekstit, pavarësisht se shumë na kanë pyetur nëse domethënia e saj ka lidhje me ndonjë prej anëtarëve të grupit, dua të them se jo. Elgiti me siguri ka pasur diçka në mendje kur e ka shkruar këtë tekst, ndërkohë qe ne na ka pëlqyer shumë. Bën fjalë për një djalë që i bën thirrje një vajze që të rikthehet, qoftë edhe sikur vetëm për një natë. Madje në kohët që jetojmë këto historitë që ndodhin për një natë janë edhe më të shpeshta(qesh).

Ju jeni një band muzikore që edhe fal formimit tuaj, prireni të luani muzikë të mirë. Jeni pjesë e clubeve të natës dhe çfarë lloj muzike këndoni dhe performoni?

Grupi përformon muzikë ‘Live’, në shumë prej clubeve të Elbasanit, ndërkohë që së shpejti pritet të jemi pjesë e projekteve edhe në kryeqytet. Ne luajmë dhe këndojmë këngë të rrymave të ndryshme, kjo duke ju përshtatur edhe kërkesave dhe clubeve në të cilat luajmë. Pra, nëse vini në një club ku performon “Alar Band” është e sigurt që do e gjeni veten në shumë prej këngeve pasi ne këndojm si këngët komerciale ashtu edhe rock alternarive, blues, pop, latine dhe pa harruar sigurisht muzikën shqiptare.

Tashmë në clubet në të cilat do të performoni do të dëgjohet edhe “Do jetë Vonë”, po publiku në Elbasan si ju ka pritur?

Urimet për këngën nuk kane fund. Ditët e para kanë qenë ato ditë ku bateritë e telefonave tanë nuk mbanin më shumë se tri orë nga sms-të e shumta që kemi marrë (qesh). Në fakt, vlerësimi më të madh e kemi marrë nga qyteti jonë i Elbasanit. Shumë prej lokaleve të qytetit që nga pjesëmarrja jonë këtë të dielë e kanë bërë këngën pjesë të play-listave muzikore të tyre.

Do të kemi një bashkëpunim së shpejti të “Alar Band” me ndonjë prej këngëtarëve “Big” apo do të vijoni me projektet e planifikuara muzikore?

Nuk e përjashtojmë si mundësi, madje jemi edhe duke e menduar. Bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit po mendojmë për një bashkëpunim, me një këngëtar ‘BIG’ në
tregun muzikor shqiptar, por projektet do t’i bëjmë publike kur ato të konkretizohen. Ajo që ne duam momentalisht është të shijojmë suksesin e këngës që sapo kemi publikuar, ndërkohë që risi të reja na presin.


alar band


Shkrimi u botua në numrin e sotëm ( 27 nëntor 2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print 

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar