"Bilbilfryrësit" në shtet, ngrihet
struktura për zbatimin e ligjit

"Bilbilfryrësit" në shtet, ngrihet<br />struktura për zbatimin e ligjit
Qeveria ka miratuar strukturën për zbatimin e ligjit për "Sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve" në administratën publike. Ligji synon mbrojtjen e sinjalizuesve, të punonjësve që spiunojnë shefat e korruptuar, qoftë në shtet apo privat. 

Me vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ministrave, i hapet rrugë zbatimit të ligjit fillimisht nga zyrat shtetërore, ndërsa në subjektet private është caktuar vera e vitit të ardhshëm. 

Sipas VKM-së, struktura përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetet publike me mbi 80 të punësuar përbëhet nga dy nëpunës/punonjës. 

"Njësia përgjegjëse në autoritetet publike është drejtuesi i strukturës së auditimit të brendshëm dhe një nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të njësisë së auditimit të brendshëm", thuhet në VKM. 

Caktimi si nëpunës/punonjës i njësisë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetin publik, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të punës, sipas aktit të emërimit, është pa afat dhe përfundon me mbarimin e marrëdhënieve në atë pozicion pune.
 
Vendimi i Qeverisë
 
STRUKTURËN, KRITERET E PËRZGJEDHJES DHE MARRËDHËNIET E PUNËS SË PUNONJËSVE TË NJËSISË PËRGJEGJËSE NË AUTORITETET PUBLIKE, NË ZBATIM TË LIGJIT NR.60/2016, “PËR SINJALIZMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 

1. Struktura përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetet publike me mbi 80 të punësuar përbëhet nga dy nëpunës/punonjës.
 
2. Njësia përgjegjëse në autoritetet publike është drejtuesi i strukturës së auditimit të brendshëm dhe një nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të njësisë së auditimit të brendshëm.
 
3. Në ato raste kur autoriteti publik nuk ka në strukturën e tij strukturë auditimi të brendshëm, njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve është drejtuesi i strukturës së burimeve njerëzore dhe një nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të strukturës së burimeve njerëzore.
 
4. Autoritetet publike, të cilat në strukturën e tyre kanë njësi të posaçme, ndër të tjera, për luftën ndaj korrupsionit dhe praktikave apo veprimeve të dyshuara të korrupsionit, kryejnë edhe detyrën e njësisë përgjegjëse, në zbatim të ligjit nr.60/2016.
 
5. Në ato autoritete publike, në të cilat nuk mund të zbatohen pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi, për shkak se nuk kanë strukturë auditimi apo të burimeve njerëzore ose nuk plotësohet numri, sipas pikës 1, të këtij vendimi, njësia përgjegjëse plotësohet ose përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të përhershëm të autoritetit, të cilët, përveç detyrave që kryejnë dhe kushteve/kritereve të përgjithshme e të veçanta, të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, duhet të plotësojë edhe këto kushte: 
a) Të kenë vjetërsi në punë jo më pak se dy vjet;
b) Të kenë mbaruar arsimin e lartë, i preferueshëm në shkencat juridike, shkencat sociale ose shkencat ekonomike;
c) Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
 
6. Autoritetet publike, që kanë degë territoriale në Republikën e Shqipërisë, krijojnë njësinë përgjegjëse vetëm në strukturën qendrore të tyre.
 
7. Caktimi si nëpunës/punonjës i njësisë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetin publik, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të punës, sipas aktit të emërimit, është pa afat dhe përfundon me mbarimin e marrëdhënieve në atë pozicion pune.
 
8. Njësia përgjegjëse për zbatimin e ligjit nr.60/2016, si strukturë që ndjek në vazhdimësi sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja në veprimtarinë e saj, mban kontakte të vazhdueshme me ILDKPKI-në.  Njësia përgjegjëse në sektorin publik vepron në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo influence tjetër, të padrejtë, që mund të pengojë realizmin e detyrave të saj në zbatim të ligjit nr. 60/2016.
 
9. Për çdo ndërprerje të marrëdhënies së punës ndërmjet autoritetit publik dhe nëpunësit/punonjësit të njësisë përgjegjëse, informohet menjëherë ILDKPKI-ja. Titullari i autoritetit publik merr masat e nevojshme që të zëvendësojë menjëherë nëpunësin/punonjësin e larguar të njësisë përgjegjëse me punonjës të strukturës përkatëse ose, sipas rastit, të strukturave të tjera, duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë vendim.
 
10. Nëpunësit/punonjësit e njësisë përgjegjëse largohen nga kjo detyrë me urdhër të titullarit të autoritetit publik, kur:
a) japin dorëheqjen me shkrim nga detyra e njësisë përgjegjëse, e cila i dërgohet, njëkohësisht, edhe ILDKPKI -së;
b) dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
c) kryejnë shkelje të rendë të legjislacionit që rregullon sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;
ç) përfundon marrëdhënien e punës me autoritetin publik.
 
11.  Titullarët e autoriteteve publike emërojnë nëpunësit/punonjësit në detyrën e njësisë përgjegjëse brenda 15 ditësh, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe njoftojnë me shkrim inspektorin e përgjithshëm të ILDKPKI-së për krijimin e njësinë përgjegjëse, së bashku me kontaktet e saj. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Të rinj e veteranë në maratonën e notit, pjesëmarrës edhe ikona e këtij sporti 82 vjeçari Sulejman Poda

Pogradec/ Të rinj e veteranë në maratonën e notit, pjesëmarrës edhe ikona e këtij sporti 82 vjeçari Sulejman Poda